Tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit kanë shpërthyer në përplasje të armatosura të përmasave të mëdha përgjatë vijës Durand, duke e futur rajonin në një krizë të re të rrezikshme.
Sipas zëdhënësit të qeverisë afgane, Zabihullah Mujahid, forcat talibane kanë vrarë 58 ushtarë pakistanezë dhe kanë plagosur mbi 30 të tjerë, duke zënë nën kontroll 25 pozicione ushtarake pakistaneze.
Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit e përshkroi ofensivën si një “hakmarrje për shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore afgane”, duke përfshirë sulmet ajrore në Kabul dhe tregjet lindore më herët gjatë javës.
Talibanët deklaruan se operacionet “kanë qenë të suksesshme” dhe janë ndalur në mesnatë, por paralajmëruan se në rast të shkeljeve të reja nga Pakistani, “përgjigjja do të jetë edhe më e ashpër”.
Në anën tjetër, Pakistani ka reaguar menjëherë duke mbyllur kalimet kryesore kufitare Torkham dhe Chaman, si dhe disa pika më të vogla kalimi.
Sipas Reuters, Islamabadi ka dërguar trupa shtesë në kufi, ndërsa zona është mbyllur plotësisht për tregti dhe qarkullim civil.
Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif e cilësoi incidentin si “provokim të drejtpërdrejtë nga Afganistani”, duke theksuar se “nuk do të ketë kompromis për mbrojtjen e Pakistanit”. Ai përsëriti akuzat se regjimi taliban në Kabul po strehon grupin militant të ndaluar Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP) — diçka që qeveria afgane e mohon kategorikisht.
Burime nga media afgane raportojnë gjithashtu për humbje në radhët e talibanëve: nëntë luftëtarë afganë janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve. Sipas TOLOnews, forcat talibane kanë dislokuar tanke dhe armatim të rëndë përgjatë kufirit, gjë që e ngrit ndjeshëm rrezikun e një përshkallëzimi të ri ushtarak.
Katar dhe Arabia Saudite kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe dialog urgjent, ndërsa diplomatë nga disa vende rajonale po përpiqen të rivendosin komunikimin mes palëve për të shmangur një konflikt më të gjerë që mund të destabilizojë gjithë Azinë Jugore.
Derisa konfirmimet e pavarura për numrin e viktimave mungojnë, situata në terren ndryshon me shpejtësi. Reuters dhe AP theksojnë se raportet e para për humbjet shpesh janë të vështira për t’u verifikuar, ndërsa shkëmbimet e zjarrit ndërthuren me përpjekje të buta diplomatike për uljen e tensioneve.