Për shkak të luftës në Iran, paracetamoli në Angli është shtrenjtuar deri në 30 për qind

Lufta në Iran ka çuar në rritjen e çmimeve të një sërë ilaçesh të përdorura shpesh në Angli, përfshirë analgjezikët dhe ilaçet kundër alergjisë nga poleni, kanë paralajmëruar farmacistët kryesorë.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Farmacive, farmacitë po e shesin paracetamolin me 20 deri në 30 për qind më shtrenjtë krahasuar me muajin shkurt, ndërsa shumë prej tyre po përballen edhe me mungesë të disa dozave të aspirinës dhe ko-kodamolit.

Shkaku i rritjes së çmimeve janë kostot më të larta të transportit dhe mungesa e kimikateve të nevojshme për prodhimin e ilaçeve, shkruan The Guardian.

Pasojat e luftës në zinxhirin e furnizimit

Çmimet e benzinës dhe naftës janë rritur që nga fillimi i luftës para afro tetë javësh, duke rritur kostot e prodhimit dhe transportit për furnizuesit e ilaçeve. Këto kosto janë reflektuar te farmacitë, të cilat tani paguajnë 40 deri në 50 për qind më shumë për furnizime.

Konflikti ka dyfishuar edhe çmimin e transportit ajror të mallrave – përmes të cilit arrin çdo i pesti ilaç për sistemin shëndetësor britanik – dhe ka kufizuar furnizimin me derivate të naftës nga Gjiri, të cilat përdoren në prodhimin e shumë ilaçeve të zakonshme si paracetamoli, aspirina dhe ko-kodamoli.

Për këtë arsye, prodhuesit e ilaçeve gjenerike, që operojnë me fitime të ulëta, kanë filluar të rrisin çmimet, duke shtuar kostot për sistemin shëndetësor, por edhe çmimet me pakicë në farmaci.

Shembuj konkretë të rritjes së çmimeve

Disa farmaci kanë ndaluar shitjen e aspirinës pa recetë, pjesërisht për shkak të kufizimeve në furnizim që kishin filluar edhe para luftës në Iran. Mungesat e përkohshme të ilaçeve janë të zakonshme, por mund të bëhen më serioze nëse ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe detare për petrokimikatet, nuk rihapet së shpejti.

Olivier Picard, president i Shoqatës Kombëtare të Farmacive, tha se farmacia e tij në Berkshire më 27 mars nuk mundi të porosiste paracetamol.

“Kur u bë sërish i disponueshëm disa ditë më vonë, çmimi me shumicë u dyfishua”, tha ai. Sipas tij, çmimi për një paketë prej 100 tabletash paracetamol 500 mg u rrit nga 41 peni në fund të shkurtit në 1.99 paund në fund të marsit, për të rënë më pas në 1.09 paund. Kjo u reflektua edhe në çmimet me pakicë: një paketë prej 32 tabletash që para luftës kushtonte 1.19 paund, tani shitet për 1.50 paund.

Situatë e ngjashme është edhe me Cetirizine, një ilaç i zakonshëm kundër alergjisë nga poleni, çmimi i të cilit është rritur gjithashtu me 20 deri në 30 për qind.

Çmimi i furnizimit për një paketë prej 30 tabletash pothuajse është dyfishuar që nga janari, nga 19 në 37 peni, ndërsa disa distributorë kërkojnë deri në 3 paund. Personat me alergji mund të përballen me rritje të mëtejshme të çmimeve në maj ose qershor, në kulmin e sezonit të polenit. Megjithatë, Picard këshilloi blerësit të mos bëjnë stoqe, pasi blerjet nga paniku mund të shkaktojnë mungesa dhe rritje të mëtejshme të çmimeve.

Presioni mbi farmacitë dhe sistemin shëndetësor

Farmacitë realizojnë 90 për qind të të ardhurave nga shpërndarja e ilaçeve me recetë për sistemin shëndetësor britanik, i cili ua rimburson kostot me çmime fikse.

Megjithatë, nëse qeveria vlerëson se çmimi i një ilaçi është rritur ndjeshëm, mund të miratojë kompensim më të lartë. Në mars, lista e këtyre kompensimeve arriti në një rekord prej 230 artikujsh, përfshirë ilaçe për tensionin e gjakut, ankthin, antidepresivë dhe analgjezikë si kodeina dhe ko-kodamoli, krahasuar me 90 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kategoritë
BotaLajme