Edhe pse Teherani ka mohuar zyrtarisht ekzistencën e negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin, informacionet më të fundit zbulojnë se çfarë po ndodh realisht pas dyerve të mbyllura.
Sipas burimeve të portalit amerikan Axios, është duke u zhvilluar një mision intensiv ndërmjetësimi, në të cilin Turqia, Egjipti dhe Pakistani po përcjellin mesazhe mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Kjo ofensivë diplomatike hedh një dritë të re mbi vendimin e papritur të presidentit amerikan Donald Trump për të shtyrë për pesë ditë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke hapur shpresë për një armëpushim.
Burime amerikane bëjnë të ditur se ndërmjetësit gjatë dy ditëve të fundit kanë komunikuar intensivisht me të dyja palët. Ministrat e jashtëm të Turqisë, Egjiptit dhe Pakistanit kanë zhvilluar bisedime të ndara me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff, si dhe me ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi.
“Ndërmjetësimi është në zhvillim dhe po arrihet përparim. Po diskutohet për përfundimin e luftës dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura. Shpresojmë që së shpejti të kemi përgjigje”, ka deklaruar një burim anonim i njohur me detajet e këtyre bisedimeve sekrete.
Këto informacione shpjegojnë deklaratat kontradiktore të mëhershme gjatë ditës. Ndërsa Donald Trump në rrjetin social Truth Social fliste për “bisedime produktive” dhe paralajmëronte ulje të tensioneve, mediat shtetërore iraniane i hodhën poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si “luftë psikologjike”.
E vërteta duket se qëndron diku në mes: bisedime ka, por ato zhvillohen ekskluzivisht përmes kanaleve indirekte.
Se ofensiva diplomatike është në kulm e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme e Egjiptit. Shefi i diplomacisë Badr Abdelatty ka zhvilluar të dielën një seri bisedash të rëndësishme telefonike. Përveç Witkoff dhe Araghchi, Abdelatty ka koordinuar veprimet edhe me homologët e tij nga Pakistani, Turqia dhe Katari.
Siç është bërë e ditur nga Kajro, Abdelatty ka theksuar veçanërisht rëndësinë e “frenimit të pasojave më të gjera të konfliktit dhe parandalimit të përshkallëzimit të mëtejshëm të tij”.










