Edhe pse armëpushimi ka hyrë në fuqi dhe banorët e Gazës më në fund mund të lëvizin lirshëm, rreziku për jetën e tyre mbetet jashtëzakonisht i lartë. Pas gati dy vitesh bombardimesh intensive, ekspertët paralajmërojnë se territori është i mbushur me mjete shpërthyese të pashpërthyera (UXO), të cilat mund të marrin dhjetëra jetë edhe gjatë paqes.
Fëmijët, viktimat më të rrezikuara
Sipas raporteve të janarit, rreth 10 për qind e municioneve të hedhura mbi Gazë nuk kanë shpërthyer, duke u shndërruar në bomba të fshehura në rrënojat e qyteteve.
Televizioni Sky News ka verifikuar një video nga perëndimi i Gazës, pranë spitalit Al-Shifa, ku fëmijët shihen duke ikur mes tymit pas shpërthimit të një “objekti të dyshimtë”. Burri që publikoi videon tha se objekti shpërtheu ndërsa fëmijët po mblidhnin dru për ngrohje.
UNMAS: “Nuk kemi ende pamje të plotë të situatës”
Sipas të dhënave të Shërbimit të Kombeve të Bashkuara për Asgjësimin e Minave (UNMAS), që nga tetori 2023 janë identifikuar 555 mjete të paeksploduara në zonat që ekipet kanë mundur të vizitojnë. Megjithatë, për shkak të aksesit të kufizuar dhe rreziqeve të sigurisë, agjencia thekson se shkalla e vërtetë e ndotjes me municione të pashpërthyera mbetet e panjohur.
“Proces që do të zgjasë me vite”
Organizata Mines Advisory Group (MAG), e specializuar në pastrimin e minave dhe municioneve kasetore, ka paralajmëruar se procesi i çminimit në Gazë do të zgjasë me vite.
“Shumë nga mjetet shpërthyese ndodhen nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Kjo paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për banorët që kthehen dhe e bën rindërtimin jashtëzakonisht të vështirë,” – deklaroi MAG.
Sipas ekspertëve, çdo ndërhyrje për rindërtimin e infrastrukturës, shtëpive apo tokave bujqësore duhet të paraprihet nga operacione të gjera pastrimi, në të kundërtën Gazës i kanoset një “luftë e fshehtë” që do të zgjasë shumë më gjatë se bombardimet.