Pas agonis në paraburgim: Greta Thunberg dhe 170 anëtarë të flotilës për Gazën u deportuan nga Izraeli

Aktivistja suedeze Greta Thunberg dhe 170 anëtarë të flotilës për Gazën janë deportuar nga Izraeli, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi.

Sipas njoftimit të ministrisë, Greta dhe aktivistët u nisën nga Aeroporti Ndërkombëtar Ramon në jug të Izraelit dhe janë në rrugë drejt Greqisë dhe Sllovakisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit publikoi edhe fotografi të Greta Thunberg dhe personave të tjerë të deportuar, teksa kalonin nëpër aeroport të veshur me tuta gri dhe bluza të bardha.

“171 provokatorë të tjerë nga flotila Hamas-Sumud, përfshirë Greta Thunberg, u deportuan sot nga Izraeli në Greqi dhe Sllovaki. Të deportuarit janë shtetas të Greqisë, Italisë, Francës, Irlandës, Suedisë, Polonisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Lituanisë, Austrisë, Luksemburgut, Finlandës, Danimarkës, Sllovakisë, Zvicrës, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha të drejtat ligjore të pjesëmarrësve në këtë ‘PR truk’ janë dhe do të vazhdojnë të jenë plotësisht të respektuara. Gënjeshtrat që po përhapen janë pjesë e fushatës së tyre të planifikuar të lajmeve të rreme,” thuhet në deklaratën e Ministrisë izraelite të Punëve të Jashtme.

Ata theksuan gjithashtu se njëri nga aktivistët kishte kafshuar një infermiere gjatë qëndrimit në burg.

Sipas informacioneve nga ministritë evropiane të punëve të jashtme, shumica e aktivistëve të liruar do të dërgohen me avion në Greqi, prej nga do të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të tyre. Ndër ta janë 28 shtetas francezë, 27 grekë, 15 italianë dhe nëntë suedezë. Njëzet e një shtetas spanjoll janë kthyer tashmë në Madrid të dielën, ndërsa të paktën 28 të tjerë ende mbahen në paraburgim në Izrael.

Kujtojmë se në publik u përhapën informacione se Greta Thunberg ishte detyruar të mbante flamujt izraelitë gjatë fotografimit në paraburgim. Në të njëjtin raport diplomatik thuhet se Thunberg u ka treguar diplomatëve suedezë se në burg kishte pasur qasje të kufizuar në ujë dhe ushqim, si dhe kishte vuajtur nga dehidratimi dhe skuqjet e lëkurës të shkaktuara nga insektet në qeli.

“Greta ka thënë se ishte detyruar të qëndronte për një kohë të gjatë ulur në sipërfaqe të forta, se nuk kishte ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, dhe se ishte trajtuar në mënyrë të ashpër,” thuhet në raportin diplomatik.

Gjithashtu raportohet se ushtarët izraelitë “e kishin tërhequr Gretën për flokë, e kishin rrahur dhe e kishin detyruar të puthte flamurin izraelit.”

Kujtojmë se Flotila Globale Sumud u nis nga Barcelona duke bartur ndihma humanitare për banorët e Gazës. Në këtë mision humanitar, ajo u ndalua dhe u arrestua nga marina izraelite.

Kategoritë
BotaLajme