Parlamenti Evropian kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës

Parlamenti Evropian ka miratuar zyrtarisht një rezolutë për Kosovën, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) dhe duke bërë thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, të bazuar në njohjen reciproke.

Rezoluta thekson se Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për heqjen e këtyre masave.

Ajo gjithashtu bën thirrje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, proces që duhet të përmbyllet me një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.

Autori i draftit të rezolutës, eurodeputeti Riho Terras, theksoi se sanksionet ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta:

“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Këto kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte që mbështesin agjendën evropiane të Kosovës — prandaj duhet t’i japim fund sanksioneve dhe ta lejojmë Kosovën të ecë përpara me burimet që ne ofrojmë,” tha Terras.

Rezoluta mirëpret kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, mbështet pranimin e saj në Këshillin e Evropës dhe pjesëmarrjen në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Ajo gjithashtu u bën thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.

Një pjesë e veçantë e rezolutës i kushtohet situatës së sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas sulmit terrorist në Banjskë dhe incidentit në kanalin Ibër-Lepenc.

Parlamenti Evropian kritikoi Serbinë për dështimin në ndjekjen penale të autorëve të sulmit, përfshirë Milan Radoiçiq.

Paralelisht, u miratua edhe një rezolutë e veçantë për Serbinë, e cila kritikon ashpër lidhjet e ngushta të Beogradit me Rusinë dhe përpjekjet për destabilizimin e rajonit.

Rezoluta bën thirrje për rishikim të ndihmës financiare të BE-së për Serbinë, nëse kjo e fundit vazhdon bashkëpunimin me Moskën.

“Deklaratat e udhëheqësve serbë në lidhje me integrimin në BE tingëllojnë gjithnjë e më pak bindëse — veçanërisht tani që ata planifikojnë vizita në Moskë dhe marrëveshje energjetike me Rusinë këtë javë,” deklaroi Tonino Picula, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

“Anëtarësimi në BE është një përgjegjësi, jo një alibi për t’i shpëtuar llogaridhënies.”

Rezoluta dënon gjithashtu të ashtuquajturën “politikë paqësimi” të Komisionit Evropian ndaj Serbisë, duke i kërkuar Brukselit të mbajë një qëndrim më të qartë dhe më të vendosur në marrëdhëniet me Beogradin.

Kategoritë
BotaLajmeVendi