“Nëse sot e dimë se çfarë po ndodh në Gaza, Ukrainë dhe çdo tokë tjetër të përgjakur nga bombat, këtë ua kemi borxh kryesisht atyre”, tha Papa Leoni
Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve në mbarë botën dhe kreu i Vatikanit, Papa Leoni XIV ka përgëzuar punën e gazetarëve që rrezikojnë jetën e tyre për t’ia përcjellë të vërtetën publikut, raporton Anadolu.
“Nëse sot e dimë se çfarë po ndodh në Gaza, Ukrainë dhe çdo tokë tjetër të përgjakur nga bombat, këtë ua kemi borxh kryesisht atyre”, tha Papa Leoni, duke iu referuar gazetarëve.
Papa mirëpriti në Vatikan krerët dhe drejtuesit e agjencive kryesore të lajmeve në botë, përfshirë drejtorin ekzekutiv të agjencisë Anadolu, Serdar Karagöz.
Në fjalimin e tij para Konferencës së 39-të dhe Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme të delegacionit të Unionit të Agjencive Ndërkombëtare të Lajmeve (MINDS), Papa Leoni theksoi se teksa komunikimi është thelbësor, po aq e rëndësishme është edhe të merret në konsideratë se kush po komunikon dhe për çfarë qëllimi.
Papa theksoi se sektori i medias nuk duhet ta ndajë punën e tij nga përhapja e së vërtetës dhe se media luan një rol jetësor në ndihmën për të formuar ndërgjegjen dhe për të zhvilluar mendimin kritik.
– “Nuk duhet t’i harrojmë”
Më tej, Papa Leoni theksoi partneritetin e qytetarëve dhe gazetarëve në shërbim të përcjelljes të së vërtetës.
“Për këtë arsye, ajo që është vërtet produktive është një partneritet midis qytetarëve dhe gazetarëve në shërbim të përgjegjësisë etnike dhe qytetare. Një formë e qytetarisë aktive është të vlerësosh dhe mbështesësh profesionistët dhe agjencitë që demonstrojnë seriozitet dhe liri të vërtetë në punën e tyre. Kjo krijon një rreth të virtytshëm që i sjell dobi shoqërisë në tërësi”, tha Papa.
Ai theksoi punën e vështirë që gazetarët, shpesh përballë vdekjes, kalojnë për të kryer detyrat e tyre.
“Në kohë si e jona, të shënuara nga konflikte të përhapura dhe të dhunshme, shumë kanë humbur jetën duke kryer detyrën e tyre. Ata janë viktima të luftës dhe të ideologjisë së luftës, e cila synon t’i pengojë gazetarët që fare të mos jenë aty”, tha Papa.
Menjëherë pas zgjedhjet së tij në muajin maj, Papa Leoni në një takim me gazetarë nga e gjithë bota tha se bëri thirrje për lirimin e gazetarëve që ishin persekutuar dhe burgosur padrejtësisht. Ai theksoi se këtë thirrje dëshiron ta përsërisë edhe sot.
– “Kompetenca, guximi dhe etika”
Duke i quajtur agjencitë e lajmeve si vijat e para, Papa tha se ato janë “të thirrura të veprojnë në mjedisin aktual të komunikimit sipas parimeve, për fat të keq jo gjithmonë të përbashkëta, që bashkojnë qëndrueshmërinë ekonomike të kompanisë me mbrojtjen e të drejtës për informacion të saktë dhe të ekuilibruar”.
Duke e quajtur punën e agjencive të lajmeve “të paçmuar”, Papa theksoi mjedisin e tyre të punës me presion të lartë.
“Siç e dini mirë, ata që punojnë për një agjenci lajmesh pritet të shkruajnë shpejt, nën presion, madje edhe në situata shumë komplekse dhe dramatike. Për këto arsye, shërbimi juaj kërkon kompetencë, guxim dhe një ndjenjë etike. Kjo është e paçmuar dhe duhet të jetë një antidot ndaj përhapjes së informacionit të pavlerë”, tha Papa.
Ai theksoi se “kryerja e punës së një gazetari nuk mund të konsiderohet kurrë krim”, por përkundrazi është një e drejtë për t’u mbrojtur.
“Qasja e lirë në informacion është një shtyllë që mbështet ndërtesën e shoqërive tona dhe për këtë arsye ne jemi të thirrur ta mbrojmë dhe garantojmë atë”, tha ai.