Kreu i Kishës Katolike, Papa Leo XIV, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm lidhur me përshkallëzimin e dhunës në rajonet, siç i quajti ai, të Lindjes së krishterë, duke theksuar se bëhet fjalë për një “dhunë absurde dhe çnjerëzore” që po prek gjithnjë e më shumë edhe vendet e shenjta.
Në një postim në rrjetin social X, papa theksoi se hapësirat e shenjta janë përdhosur nga “blasfemia e luftës dhe brutaliteti i biznesit”, duke paralajmëruar se jetët njerëzore po neglizhohen dhe po reduktohen në dëme kolaterale të interesave personale.
“Por asnjë përfitim nuk mund të vlejë sa jeta e më të dobëtve, e fëmijëve apo e familjeve. Asnjë qëllim nuk mund të justifikojë derdhjen e gjakut të pafajshëm”, u shpreh papa.
Ai theksoi veçanërisht se Zoti nuk bekon asnjë konflikt dhe se ata që ndjekin Krishtin nuk mund të jenë në anën e atyre që dikur përdornin shpatën, ndërsa sot hedhin bomba.
“Aksioni ushtarak nuk do të krijojë hapësirë për liri dhe as nuk do të sjellë paqe, e cila vjen vetëm përmes forcimit të durueshëm të bashkëjetesës dhe dialogut mes popujve”, theksoi ai.
Papa Leo XIV u ndal edhe te pabarazitë ekonomike globale, duke theksuar se qindra miliona njerëz në mbarë botën jetojnë në varfëri ekstreme, ndërsa një pasuri e pabarabartë është përqendruar në duart e një pakice.
“Ky është një realitet i padrejtë që na detyron të reflektojmë dhe të angazhohemi për ndryshim. Shkaku i pabarazisë nuk është mungesa e burimeve, por nevoja për një shpërndarje më të drejtë të pasurisë, e cila duhet të realizohet me ndjenjë morale dhe ndershmëri”, përfundoi papa.










