Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nëpërmjet zëdhënësit të tyre kanë theksuar se arsyeja se pse katër të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim, është se ka rrezik që ata të ndikojnë në dëshmitarë ose të pengojnë procedurat.
“Arsyeja përse secili nga të katër të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore po mbahet ende në paraburgim, është se gjykatësit kanë vlerësuar se për secilin prej të akuzuarve ekziston rreziku që të pengojë ecurinë e procesit dhe të kryejë vepra penale të tjera, në veçanti kundër personave që kanë dhënë dëshmi ose që pritet të japin dëshmi para Dhomave të Specializuara”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.
Ndërsa, sa i përket të drejtës për gjykim të drejtë, Doyle ka thënë se gjykata ka mekanizma që garantojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sa i takon të drejtës për gjykim të drejtë, është me rëndësi të theksohet se gjykata ka mekanizma që garantojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në të gjitha çështjet gjyqësore, përfshirë mundësinë që t’i paraqesin kërkesë referuese Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese dhe përmes procesit të rregullt të apelit, përmes të cilit vendimet e një paneli gjykatësish mund të kundërshtohen nga një panel i pavarur i përbërë nga gjykatës të tjerë”, tha ai.
Këtë sqarim, Doyle tha që po e bëjnë pasi kanë parë një numër deklaratash të pasakta kohët të fundit në media lidhur me proceset gjyqësore.
“Përveç përditësimit të rregullt mbi statusin e çështjes gjyqësore, sot dëshirojmë të shfrytëzojmë rastin të vëmë në dukje një numër deklaratash të pasakta në media kohët e fundit në lidhje me proceset gjyqësore, dhe të sqarojmë disa aspekte”, tha ai.
Duke folur për zhvillimet në këtë rast, përveç që tregoi se këtë javë përfundoi dëshminë James Peter Covey– dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Thaçit, Doyle tha se është miratuar një kërkesë e mbrojtjes për t’u liruar nga detyrimet për nxjerrjen e informacionit në lidhje me disa redaktime të kufizuara që u bënë në tri dokumente.
“Këto redaktime u bënë nga subjekti që i dha dokumentet. Sipas Rregullës 107 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, në qoftë se Zyra e Prokurorit ka në ruajtje ose kontroll informacion që i është dhënë në mënyrë konfidenciale dhe vetëm për mbledhjen e provave të reja, një informacion i tillë dhe burimi përkatës mbrohen sipas Ligjit dhe nuk nxirret pa pëlqimin e dhënësit. Në këtë rast, trupi gjykues vë në dukje se pasi Prokuroria i përsëriti kërkesën dhënësit të dokumenteve, më 12 shtator 2025 dhënësi nuk pranoi që ato të nxirreshin plotësisht”, tha ai.
Në anën tjetër, duke folur për rastin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit në lidhje me akuzat për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve, Doyle tha se më 29 shtator, Prokuroria njoftoi gjykatësen e procedurës paraprake për faktet për të cilat janë pajtuar palët në këtë çështje.
“Për ta bërë procesin më të shpejtë, Rregullorja përcakton se gjykatësi evidenton çdo pikë faktike ose juridike për të cilën pajtohen Prokuroria dhe Mbrojtja para fillimit të gjykimit. Kujtojmë se gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi se ajo synon t’ia kalojë çështjen trupit gjykues në gjysmën e parë të nëntorit 2025, në varësi të vendimeve mbi mocione paraprake që do të jepen nga Paneli i Gjykatës së Apelit”, tha Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.