Meead Abu al-Rub është palestinezja që u shfaq në kopertinën e revistës italiane L’Espresso, e cila u sulmua nga një kolon izraelit dhe fytyra e saj u bë simbol vizual i okupimit të paligjshëm të Bregut Perëndimor. Ajo foli për përvojën e saj për Middle East Eye.
“Disa nga kolonët mbanin uniforma ushtarake dhe kishin armë. Na kërcënonin, na fyenin dhe na filmonin. Koloni që më filmonte me telefon na kërcënoi se do të na arrestonte të gjithëve, edhe pse nuk kishim bërë asgjë të gabuar, ndërkohë që ishin ata që na sulmuan”, përshkroi 35-vjeçarja ngjarjen.
Videoja dhe fotografitë janë realizuar më 12 tetor 2025, kur Meead, juriste në Komisionin për Rezistencë ndaj Kolonizimit dhe Murit, së bashku me disa aktivistë, po protestonte në mënyrë paqësore kundër konfiskimit të mundshëm të tokës palestineze në zonën Suba në Idna, në jugperëndim të Hebronit, në Bregun Perëndimor të okupuar. Në foton e kopertinës së L’Espresso shihet një kolon, i armatosur dhe me uniformë ushtarake, duke qeshur me Meead ndërsa e filmon me telefon.
Fotografia u bë virale në rrjetet sociale dhe shkaktoi reagim të ashpër nga qeveria izraelite, e cila e akuzoi revistën për antisemitizëm dhe publikim të një fotografie të manipuluar. Revista u përgjigj duke publikuar videon e plotë të incidentit.
“Në Bregun Perëndimor, okupimi zbatohet me ndihmën e ushtarëve që bashkëpunojnë me kolonët. Gaza është shkatërruar. Zgjerimi në Liban është realizuar. Kufijtë në Siri janë cenuar. Irani është sulmuar. Janë kryer spastrime etnike dhe masakra. Kështu e formëson e djathta sioniste ‘Izraelin e Madh’”, shkruhej në kopertinën e L’Espresso me titullin “L’Abuso”.
Ambasadori izraelit në Romë, Jonathan Peled, e dënoi shpejt kopertinën, duke thënë se ajo “shtrembëron një realitet kompleks” dhe nxit “stereotipe dhe urrejtje”.
Fotografi italian Pietro Masturzo, autor i fotos, u përpoq të qetësonte polemikat duke publikuar videon e plotë të incidentit.
“Shumë pyesin nëse kjo foto është krijuar me inteligjencë artificiale. Jo, kjo nuk është një produkt i inteligjencës artificiale”, shkroi ai në Instagram.
Duke folur për MEE, Meead tregoi se atë ditë kishte shkuar në zonën Suba me kolegë dhe aktivistë si pjesë e një aksioni të zakonshëm për të mbështetur fermerët lokalë gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve.
Këta palestinezë janë ndër mijëra që nuk kanë qasje në tokat e tyre gjatë sezonit të vjeljes për shkak të sulmeve të kolonëve ose ndalimeve nga ushtria izraelite.
Ngjarja filloi me mbledhjen e ullinjve, vallëzimin tradicional dabke dhe këngë popullore. Më pas mbërritën mbi 20 kolonë, të mbrojtur nga më shumë se 30 ushtarë izraelitë. Sipas Meead, ata kërcënuan, fyen dhe filmuan palestinezët. Koloni nga fotografia u tha se do të arrestoheshin dhe do të dërgoheshin në burgun e njohur Al-Moskobiya.
Kolonët vepronin nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite, e cila përdori gaz lotsjellës ndaj pjesëmarrësve.
“Na kërcënuan dhe u përpoqën të na frikësonin. Nëse nuk do të tërhiqeshim, ata nuk do të hezitonin të qëllonin drejtpërdrejt mbi ne. Nuk u frikësova nga provokimet, xhirimet apo armët e tyre”, tha Meead.
Ajo tregon se pronari i tokës u kërkoi aktivistëve të largoheshin për shkak të rrezikut, por disa të rinj qëndruan. Sipas saj, kolonët provokonin vazhdimisht dhe madje tentuan sulm fizik.
Pas viralizimit të fotos, Meead pranon se tani ndjen frikë dhe ankth, duke u shqetësuar për ngacmime apo arrestim.
Ajo thekson se palestinezët në Bregun Perëndimor kanë pak ose aspak mbrojtje nga kolonët, të cilët sipas saj mbështeten nga ushtria izraelite.
“Gjatë ngjarjes nuk u frikësova, por tani kam frikë. Jam nënë e katër fëmijëve dhe më tremb mundësia që të ndahem me forcë prej tyre”, tha ajo.
Megjithatë, fëmijët i japin forcë duke i thënë se janë krenarë për të.
“Kjo më motivon edhe më shumë. Babai im më mësoi dashurinë për tokën dhe jam e lumtur që e kam përcjellë tek fëmijët e mi”, shtoi ajo.
Sipas United Nations Office for the Coordination of Humanitarian Affairs, gjatë vitit 2026 janë dokumentuar mbi 580 sulme të kolonëve që kanë shkaktuar plagosje ose dëme materiale në më shumë se 190 komunitete palestineze në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor.
Vetëm deri më 6 prill, mbi 1.800 palestinezë janë zhvendosur rishtazi gjatë vitit 2026, duke tejkaluar numrin total të zhvendosjeve për të gjithë vitin 2025.










