Zëdhënësi i ministrisë së jashtme pakistaneze u tha gazetarëve se Islamabadi “do të vazhdojë të mbetet i angazhuar në procesin e ndërmjetësimit dhe shpreson për një rezultat pozitiv” nga bisedimet e ardhshme
Pakistani ka shprehur shpresë për një “rezultat pozitiv” nga raundi i ardhshëm i bisedimeve me Afganistanin, i caktuar për 6 nëntor në Stamboll, pas përleshjeve vdekjeprurëse kufitare në fillim të këtij muaji, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tahir Andrabi, u tha gazetarëve se Islamabadi “do të vazhdojë të mbetet i angazhuar në procesin e ndërmjetësimit dhe shpreson për një rezultat pozitiv” nga bisedimet e ardhshme.
Komentet e tij erdhën pasi Islamabadi dhe Kabuli dje ranë dakord të ruanin një armëpushim gjatë bisedimeve të mbajtura në Stamboll.
Zëdhënësi i administratës së përkohshme afgane, Zabihullah Mujahid, tha se Kabuli “dëshiron lidhje pozitive me Pakistanin dhe mbetet i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të bazuara në respekt të ndërsjellë, mosndërhyrje në punët e brendshme dhe mos paraqitje kërcënimi për asnjë palë”.
Ai në rrjetet sociale konfirmoi se të dy palët “do të takohen përsëri dhe do të diskutojnë çështjet e mbetura”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, takimi i të enjtes së ardhshme do të diskutojë parime shtesë për zbatimin e armëpushimit dhe masa që synojnë parandalimin e tensioneve të mëtejshme.
Më herët këtë muaj, të dy vendet u përfshinë në një konflikt 1-javor përgjatë kufirit pas shpërthimeve në Kabul për të cilat Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit fajësoi Pakistanin. Pakistani tha se vrau më shumë se 200 afganë, ndërsa Afganistani tha se vrau gati 60 ushtarë pakistanezë.
Raundi i parë i bisedimeve u zhvillua në Doha më herët këtë muaj para se të zhvendosej në Stamboll me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Katarit, të cilat nga Islamabadi dhe Kabuli u vlerësuan për lehtësimin e dialogut.
 
					






 
					












