Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka propozuar që ta takojë edhe njëherë para se të përfundojë afati 10-ditor, raporton Ekonomia Online.
Osmani ka thënë se, pavarësisht se disa parti politike kërkojnë zgjedhje të reja, detyrimi i Presidentes është që të bëjë çmos për të evituar zgjedhjet e reja.
“Kryetari i VV-së, njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka kërkuar që të më takojë edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor, dhe pas konsultimeve që ka brenda partisë politike — a do të vijë apo jo, është çështje e tyre, por ne kemi detyrim kushtetues që të respektojmë ato afate. Pastaj, nëse ka propozim për mandatar të ri, atëherë hyjnë në shprehje dispozita të reja kushtetuese dhe afate të reja, por megjithatë, nëse nuk ka qeveri, dihen ato që janë 30-40 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Osmani.
“Është fat i keq për Kosovën dhe qytetarët që partitë politike nuk kanë arritur të konsolidojnë e konstituojnë të gjitha institucionet, përfshirë edhe Qeverinë, dhe ka kaluar kohë e gjatë e humbur, dhe bashkë me kohën kemi humbur edhe shumë mundësi për vendin tonë. Si Presidente do të angazhohem që të respektohet Kushtetuta në përpikëri. Por një gjë që është shumë me rëndësi ta dini është që aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thonë se Presidentja duhet të bëjë çmos që t’i evitojë zgjedhjet. Partitë politike kanë qëndrimet e tyre: dikush dëshiron sot, nesër, pasnesër, por detyrimi i Presidentes është tjetër. Detyrimi i Presidentes është që të bëjë çmos që të evitohen zgjedhjet, dhe atë detyrim unë duhet ta kryej në përputhje të plotë me Kushtetutën. Prandaj do t’ju lutem për durim edhe për pak ditë, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat rreth caktimit të mandatarit të dytë”, tha ajo.
Më tej ajo tha se nuk mund të paragjykojë se me çfarë propozimi do të shkojë Vetëvendosje në takimin tjetër.
“Tani aty nuk u sqarua që do të vijnë me propozim, por u përmend si mundësi, e cila përfundimisht do të sqarohet në fillim të javës së ardhshme. Me Kushtetutë lejohet, pra nuk ka kufizim për mandatarin e dytë; për mandatarin e parë është ai që ka shumicën. Nuk janë të përcaktuara me Kushtetutë kriteret. Në rastin konkret, obligimi i Gjykatës është që Presidentja duhet të bëjë çmos për të evituar zgjedhjet, dhe unë duhet ta dëshmoj që kam bërë çmos për t’i evituar zgjedhjet. Mirëpo, nuk mund të paragjykojë se me çfarë propozimi do të vijë VV-ja, sepse sot u kërkua kohë për takim, pasi është brenda afatit të caktuar deri më 5 nëntor. Ne jemi në konsultime e sipër me ekipin tim rreth asaj se cilat do të jenë kriteret — të zëmë që nuk mund të mandatohet dikush që është i involvuar në korrupsion — që do t’i marrim parasysh si kritere mbizotëruese. Në fillim të javës do të kuptojmë nëse do të ketë propozim apo jo”, theksoi Osmani.
Presidentja theksoi se cështja e dytë që ka ngritur është nëse mund të gjindet një rrugë përpara për procedimin e buxhetit dhe Planit të Rritjes, instrument i BE-së ku Kosovës i jepen mbi 800 milionë euro.
“Çështja e dytë që kam ngritur është nëse mund të gjejmë rrugë përpara për procedimin e buxhetit dhe Planit të Rritjes, një instrument i BE-së ku Kosovës i jepen mbi 800 milionë euro. Sa më shumë vonesa, aq më shumë humbim mundësinë në këtë qasje. Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedimin e buxhetit që u miratua sot. Megjithatë, unë propozova që të shohim mundësi të tjera kushtetuese, një prej tyre është të miratohet zgjatja e buxhetit të vjetshëm, së paku deri më 31 mars 2026, që qytetarët të mos përballen me mungesë pagash dhe mirëqenieje. Kjo do të ishte gjendje e rëndë, sepse mbijetesa e tyre varet nga paga që marrin në fund të muajit. Propozimi im ishte që të gjejmë rrugë përpara; nëse ata nuk dakordohen, si iniciohen si nisma legjislative nga qeveria, atë detyrim ta marrë unë dhe, si Presidente, ta procedoj edhe zgjatjen buxhetore dhe planin e rritjes. Një gjë e tillë njihet si e drejtë e Presidentes. Kjo çështje nga disa u shqyrtua, do të jem në kontakt nëse ekziston një mundësi e tillë që të parandalojmë një krizë që është e mundshme.”
 
					






 
					












