OBSH: Një në pesë të rritur ende i varur nga duhani

Bota po pi më pak duhan, por epidemia e duhanit është larg përfundimit, deklaroi Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke u bazuar në një raport që tregon se një në pesë të rritur mbeten të varur nga duhani.

Raporti zbuloi se përdorimi i duhanit ka rënë nga 1,38 miliardë njerëz në vitin 2000 në 1,2 miliardë në vitin 2024. Që nga viti 2010, 120 milionë njerëz e kanë lënë duhanin, një rënie relative prej 27 për qind, megjithatë miliona njerëz vazhdojnë të vdesin çdo vit nga sëmundjet e parandalueshme që lidhen me duhanin.

“Miliona njerëz po ndalojnë ose nuk po fillojnë përdorimin e duhanit falë përpjekjeve të kontrollit të duhanit nga vendet anembanë botës”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

“Në përgjigje të këtij progresi të fortë, industria e duhanit po kundërvepron me produkte të reja nikotine, duke synuar në mënyrë agresive të rinjtë. Qeveritë duhet të veprojnë më shpejt dhe më fort në zbatimin e politikave të provuara të kontrollit të duhanit”, shtoi ai.

Për herë të parë, OBSH-ja gjithashtu vlerësoi përdorimin global të cigareve elektronike, duke gjetur më shumë se 100 milionë përdorues në të gjithë botën, përfshirë 15 milionë adoleshentë.

Etienne Krug, drejtor i OBSH-së për përcaktuesit e shëndetit, promovimin dhe parandalimin, paralajmëroi se “cigaret elektronike po nxisin një valë të re të varësisë nga nikotina”.

“Ato tregtohen si ulje e dëmit, por në realitet po çojnë në varësinë e fëmijëve nga nikotina më herët dhe rrezikojnë të dëmtojnë dekada progresi”, theksoi ai.

Raporti gjithashtu theksoi pabarazitë gjinore dhe rajonale. Gratë kanë regjistruar rënie më të shpejta, duke ulur prevalencën në 6,6 për qind deri në vitin 2024, ndërsa burrat, të cilët përbëjnë më shumë se 80 për qind të përdoruesve të duhanit, nuk pritet të përmbushin objektivat globale të reduktimit deri në vitin 2031.

Evropa tani ka prevalencën më të lartë të përgjithshme në botë me 24,1 për qind. OBSH-ja u bëri thirrje qeverive të rrisin taksat, të ndalojnë reklamat, të mbyllin boshllëqet rregullatore dhe të zgjerojnë shërbimet e ndërprerjes së duhanit.

“Pothuajse 20% e të rriturve ende përdorin produkte duhani dhe nikotine. Nuk mund të ndalemi tani”, tha Jeremy Farrar, ndihmësdrejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Kategoritë
BotaLajme