“Ne i nxisim anëtarët e nderuar të Këshillit të marrin në konsideratë koston shumë të madhe të luftës dyvjeçare në Gaza në aspektin njerëzor dhe material”, tha Asli Guven, zv/përfaqësuese e Turqisë në OKB
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) i bëri thirrje të enjten Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështesë anëtarësimin e plotë të Palestinës në këtë organizatë botërore dhe të ruajë armëpushimin në Gaza si dhe të ndërmarrë hapa konkretë për t’i dhënë fund pushtimit izraelit, transmeton Anadolu.
“Ne mirëpresim përpjekjet e presidentit të SHBA-së (Donald) Trump dhe nënshkrimin më herët këtë muaj të marrëveshjes së armëpushimit për Gazën”, tha zëvendëspërfaqësuesja e Turqisë në OKB, Asli Guven, ndërsa iu drejtua Këshillit në emër të Grupit të OBI-së.
Ajo tha se armëpushimi në Gaza “ka hapur një perspektivë të re në demarshet globale për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”.
“Ne bëjmë thirrje për veprim të Këshillit në kohë për pranimin e Palestinës si anëtare me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara”, kërkoi ajo. Guven kërkoi më tej që Këshilli të vazhdojë “të mbështesë dhe të mbajë vrullin aktual drejt rivendosjes së paqes së qëndrueshme në Gaza dhe në gjithë Territorin e Pushtuar Palestinez”.
“Ne i nxisim anëtarët e nderuar të Këshillit të marrin në konsideratë koston shumë të madhe të luftës dyvjeçare në Gaza në aspektin njerëzor dhe material”, tha ajo duke përmendur “humbjen kolosale të mbi 68 mijë viktimave kryesisht civile”, si dhe vdekjen e punonjësve mjekësorë, stafit të UNRWA-s dhe gazetarëve.
OBI-ja gjithashtu dënoi veprimet izraelite në Siri dhe Liban dhe i kërkoi Izraelit të tërhiqet nga të gjitha tokat arabe të pushtuara “menjëherë, plotësisht dhe pa kushte”.
“Ne kështu riafirmojmë shpresën tonë të sinqertë se plani i fundit i paqes do të sjellë paqen e shumëdëshiruar në Palestinë dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”, vuri në dukje Guven.











