Ish-drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Mohamed ElBaradei, u ka bërë thirrje urgjente qeverive të vendeve të Gjirit Persik, Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe liderëve botërorë që të ndërhyjnë para skadimit të ultimatumit që presidenti amerikan Donald Trump i ka vendosur Iranit.
Në postimet në rrjetet sociale, ElBaradei paralajmëroi se qëndrimi i presidentit amerikan mund ta shndërrojë rajonin në një “top zjarri”.
“Ju lutem, edhe një herë, bëni gjithçka që keni në dorë para se ky i çmendur ta kthejë rajonin në një top zjarri…”, shkroi ai në platformën X.
Reagimi i ElBaradeit thekson frikën se situata mund të përshkallëzohet në një luftë rajonale katastrofike nëse diplomacia dështon.
Trump i ka dhënë Iranit afat deri më 6 prill që ose të arrijë një marrëveshje paqeje ose të rihapë Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse nuk respektohet marrëveshja.
“Koha po mbaron. Edhe 48 orë para se mbi ta të bjerë ferri”, shkroi Donald Trump në rrjetin Truth Social.
Kërcënimet e tij përfshijnë shënjestrimin e termocentraleve iraniane, objekteve të naftës dhe impianteve të desalinizimit, gjë që mund të paralizojë ekonominë dhe infrastrukturën e vendit.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG), u mbyll nga Irani në fund të shkurtit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe çrregullime në furnizim.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo përpjekje ushtarake për ta detyruar rihapjen e saj mund të jetë e rrezikshme, duke pasur parasysh rrugët e ngushta detare dhe kapacitetet raketore dhe me dronë të Iranit. Një mbyllje e zgjatur mund të sjellë pasoja të rënda ekonomike në mbarë botën, përfshirë mungesë karburanti dhe rritje të ndjeshme të çmimeve.










