Një ushtar izraelit është mburrur me rrëzimin e një statuje të Jezusit Krisht

Një ushtar izraelit është mburrur me rrëzimin e një statuje të Jezusit Krisht. Një ushtar izraelit që ndodhet në jug të Libanit ka publikuar një fotografi ku shihet duke u mburrur me rrëzimin e një statuje që paraqet Jezu Krishtin, gjë që ka shkaktuar reagime të forta nga komuniteti katolik në këtë vend.

Siç mund të shihet në fotografi, statuja është rrëzuar në tokë, ndërsa ushtari vazhdon ta shkatërrojë atë me çekan.

Edhe pse IDF (ushtria izraelite) fillimisht e mohoi pamjen, duke thënë se ekziston mundësia që të jetë fotomontazh, më vonë reagoi sërish dhe konfirmoi autenticitetin e fotografisë.

“Pas përfundimit të shqyrtimit fillestar lidhur me fotografinë e publikuar më herët gjatë ditës, në të cilën një ushtar i IDF-it dëmton një simbol të krishterë, është konstatuar se fotografia paraqet një ushtar të IDF-it që vepron në jug të Libanit”, thuhet në njoftim.

Ata theksuan se kjo nuk është në përputhje me vlerat e tyre si ushtri.

“IDF e konsideron incidentin me shumë seriozitet dhe thekson se sjellja e ushtarit është plotësisht në kundërshtim me vlerat që priten nga trupat e tyre. Incidenti po hetohet nga Komanda Veriore dhe aktualisht po trajtohet përmes zinxhirit komandues. Kundër të përfshirëve do të ndërmerren masa të përshtatshme në përputhje me gjetjet”, thuhet më tej.

Ata theksuan gjithashtu se statuja do të rikthehet në vendin e saj.

“IDF po vepron për çmontimin e infrastrukturës terroriste që Hezbollah ka ngritur në jug të Libanit dhe nuk ka për qëllim të dëmtojë infrastrukturën civile, përfshirë objektet fetare apo simbolet fetare”, përfunduan ata.

Kategoritë
BotaLajme