Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës tha se një anije izraelite iu afrua “Alma”-s, anijes kryesore të flotiljes
Organizatorët e flotiljes humanitare “Sumud” me destinacion Gazën thanë se një anije tjetër detare izraelite i është afruar konvojit, përpjekja e dytë e tillë për zmbrapsje në më pak se 24 orë, transmeton Anadolu.
Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës tha në një postim në plaftormën amerikane X se një anije izraelite iu afrua “Alma”-s, anijes kryesore të flotiljes.
“Një anije izraelite iu afrua Alma-s, anijes kryesore të Flotiljes Sumud”, thuhet në deklaratë. “Ajo iu afrua dhe më pas u largua”, njoftohet më tej.
Incidenti i fundit ndodhi disa orë pasi organizatorët thanë se forcat detare izraelite kryen një “operacion frikësues” kundër flotiljes, duke rrethuar Alma-n dhe një anije tjetër, “Sirius”, duke çaktivizuar komunikimet dhe duke detyruar manovra shmangëse për t’i ikur përplasjes.
Përpjekjet izraelite erdhën ndërsa flotilja e ndihmës arriti 100 milje detare nga Gaza.
Koalicioni i Flotiljes së Lirisë tha se anijet ende po lundrojnë “pavarësisht se janë afruar dy herë nga anije të paidentifikuara – që besohet të jenë të marinës izraelite”.
Të dielën, transmetuesi publik izraelit KAN tha se Izraeli po përgatitet të kapë anijet, duke i bërë jehonë operacioneve të mëparshme kundër anijeve të ndihmës “Madleen” dhe “Handala”, të cilat Izraeli i ndaloi këtë qershor dhe korrik.
Flotilja, e ngarkuar kryesisht me ndihmë humanitare dhe furnizime mjekësore, është nisur në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite. Kjo shënon herën e parë në vite që dhjetëra anije lundrojnë së bashku drejt Gazës, shtëpi e rreth 2,4 milionë palestinezëve dhe nën bllokadën izraelite për afërsisht 18 vjet.
Izraeli ka shtrënguar më tej rrethimin këtë mars duke mbyllur të gjitha kalimet kufitare dhe duke bllokuar ushqimin, ilaçet dhe ndihmën, duke e shtyrë Gazën në uri pavarësisht kamionëve të ndihmës që grumbullohen në kufijtë e saj.
Ushtria izraelite ka vrarë mbi 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.