Një javë pasi Rusia mbeti pa aleatin e saj më besnik në Bashkimin Evropian, Viktor Orbán, në horizont tashmë është shfaqur një pasardhës i mundshëm. Ky mund të jetë ish-presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev (62), i cili konsiderohet favorit kryesor në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare.
Bashkimi Evropian dhe NATO mund të përballen së shpejti me një lider të ri që shfaq simpati ndaj Rusisë, dhe këtë herë kjo mund të ndodhë në Ballkan. Sipas portalit Kyiv Independent, Radev dha dorëheqje në janar për të udhëhequr koalicionin e tij të ri “Bullgaria Progresive” në zgjedhjet e teta parlamentare që nga viti 2021.
Si president, Radev shpesh është larguar nga linja pro-ukrainase e Sofjes zyrtare, duke kundërshtuar ndihmën ushtarake për Kievin dhe sanksionet kundër Moskës. Deri vonë, Hungaria ishte e vetmja anëtare që arrinte ta mbante BE-në në një lloj bllokimi. Për këtë arsye, ekzistojnë frikëra se, nëse Radev bëhet kryeministër, Bullgaria mund të kthehet në një “gur pengese” të ri brenda Unionit.
Radev, ish-oficer i forcave ajrore, u zgjodh për herë të parë president në vitin 2016 me mbështetjen e Partisë Socialiste Bullgare (BSP). Edhe pse posti i presidentit në këtë vend ka kryesisht kompetenca ceremoniale, ai nuk ka hezituar të kritikojë mbështetjen për Ukrainën sa herë që i është dhënë mundësia.
Ai ka kundërshtuar hapur sanksionet perëndimore dhe ka deklaruar se ndihma ushtarake për Kievin vetëm sa e zgjat konfliktin. Kjo çoi në vitin 2023 në një përplasje të ashpër verbale në Sofje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Radev gjithashtu kritikoi marrëveshjen dhjetëvjeçare të sigurisë midis Bullgarisë dhe Ukrainës, të nënshkruar nga kryeministri i përkohshëm Andrej Gjurov.
“Radev është një politikan prorusi dhe ekziston shqetësimi i madh se ai mund të përpiqet ta devijojë Bullgarinë nga rruga e saj pro-evropiane”, paralajmëroi Emilia Zankina, profesoreshë në Universitetin amerikan Temple.
Sabotimi i hyrjes në eurozonë dhe pavarësisë energjetike
Në të kaluarën, Radev ka propozuar një referendum të diskutueshëm që u interpretua si përpjekje për të shtyrë hyrjen e vendit në eurozonë. Përveç kësaj, qeveria e përkohshme e emëruar prej tij dyshohet se në vitin 2022 ka tentuar të sabotojë planet për të reduktuar varësinë energjetike nga Rusia. Ai gjithashtu tentoi – pa sukses – të vendosë veto ndaj një ligji të vitit 2025 për forcimin e kontrollit mbi shitjen e rafinerisë në Burgas, në pronësi të kompanisë ruse Lukoil.
Analisti Ruslan Stefanov nga Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD) në Sofje thekson se etiketimi i Radevit thjesht si “prorus” mund të jetë i tepruar, por pranon se qëndrimet e tij e bëjnë atë “politikisht të dobishëm për Kremlinin”.
Megjithatë, ai shton se është pak e mundshme që Radev të bëhet një problem aq i madh për BE-në sa ishte lideri hungarez. Skena politike në Bullgari është shumë e fragmentuar dhe formimi i një qeverie pa partnerë koalicioni është pothuajse i pamundur.
Pesë vitet e fundit në Bullgari janë karakterizuar nga skandale korrupsioni, qeveri të dobëta dhe një parlament i fragmentuar. Radev, popullariteti i të cilit është në rritje, ka shfrytëzuar pakënaqësinë e përgjithshme ekonomike për të zhvilluar një fushatë të fortë parazgjedhore, pas protestave që rrëzuan kabinetin e Rosena Zheljazkovit.
Rezultatet e pritshme sipas sondazheve:
- Bullgaria Progresive (Rumen Radev): Kryeson me rreth 30% mbështetje. Sipas Zankinës, ai kombinon platformën kundër korrupsionit me qëndrime proruse, duke tërhequr vota nga spektra të ndryshëm politikë.
- GERB-SDS: Në vendin e dytë me rreth 20% është koalicioni i udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov, një populist pragmatik i shoqëruar me akuza për korrupsion, por që pritet të ruajë kursin pro-perëndimor.
- PP-DB (Vazhdojmë me Ndryshimet – Bullgaria Demokratike): Koalicion pro-evropian dhe pro-ukrainas në vendin e tretë me rreth 12% të votave.
Gjithashtu pritet që pragun zgjedhor ta kalojnë edhe Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS), që përfaqëson pakicën turke dhe udhëhiqet nga oligarku Deljan Peevski, si dhe partia ultranacionaliste dhe proruse “Vazrazhdane”.
“Me këtë shpërndarje forcash, Radev ka gjasa të ketë shumë opsione për negociata koalicioni”, përfundon Stefanov.










