Një britanik mund të përballet me deri në dy vite burg për shkak të një fotografie të një sulmi me dron në Dubai

Një stjuard nga Britania e Madhe është arrestuar pasi ndau në një bisedë private një fotografi të një sulmi me dron pranë aeroportit në Dubai, dhe mund të dënohet me deri në dy vite burg.

Sipas Middle East Eye, britaniku 25-vjeçar e kishte dërguar fotografinë në një grup privat në WhatsApp, duke pyetur nëse ishte e sigurt të përdorej aeroporti në Dubai.

Menjëherë pas ndarjes së fotografisë, ai u arrestua në bazë të ligjeve të ashpra në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përveç dënimit me burg, ai mund të përballet edhe me një gjobë deri në 50 mijë dollarë.

Ky incident është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe për të kontrolluar informacionin dhe për të fshehur problemet e sigurisë, pas sulmeve të ndërmarra nga Izraeli dhe SHBA ndaj Iranit.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe raportet mediatike tregojnë se dhjetëra shtetas britanikë, përfshirë turistë, emigrantë dhe punonjës të aviacionit, janë ndaluar për shkak të incizimit apo shpërndarjes së materialeve që lidhen me sulme raketore dhe me dronë.

Sipas organizatës “Detained in Dubai”, disa persona janë akuzuar në bazë të ligjeve që kriminalizojnë përmbajtjen që konsiderohet se cenon sigurinë publike. Kjo organizatë vlerëson se numri i britanikëve të prekur mund të arrijë deri në 70.

Në një rast tjetër, një turist britanik 60-vjeçar u ndalua pasi kishte incizuar një video të një sulmi, edhe pse thuhet se e kishte fshirë atë kur policia iu afrua.

Prokurori i përgjithshëm i Emirateve ka paralajmëruar për përgjegjësi të menjëhershme penale për ata që shpërndajnë përmbajtje gjatë periudhave të krizës.

Aktivistët për të drejtat e njeriut theksojnë se këto masa rrezikojnë imazhin e ndërtuar me kujdes të Dubait si një qytet i hapur, pasi autoritetet përpiqen të kontrollojnë mënyrën se si dokumentohet lufta brenda vendit.

“Ka pafund fotografi, video dhe lajme që qarkullojnë në internet për konfliktin. Njerëzit me të drejtë mendojnë se nëse diçka është shpërndarë gjerësisht ose publikuar nga media, atëherë është e pranueshme të komentohet apo të ripostohet. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, ky supozim mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha Radha Stirling, drejtoreshë e “Detained in Dubai”.

Kategoritë
BotaLajme