“Ngushticë” në Ngushticën e Hormuzit: Anijet “të grumbulluara” nga të dyja anët, por vetëm pak kalojnë

Ngushtica e Hormuzit po shënon një trafik minimal të anijeve, pavarësisht armëpushimit të arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, tregojnë të dhënat e platformës për ndjekjen e anijeve “Marine Traffic”.

Pamjet dhe të dhënat e mbledhura më 10 prill tregojnë një rënie të ndjeshme të intensitetit të lundrimit përmes një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë, edhe pse është në fuqi një armëpushim i brishtë dyjavor mes dy vendeve.

Tensionet janë rritur më tej në prag të bisedimeve të paralajmëruara që pritet të mbahen në Pakistan. Uashingtoni akuzon Teheranin se nuk po respekton marrëveshjen lidhur me Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Izraeli ka kryer sulme të reja në Liban, të cilat Irani i konsideron shkelje të armëpushimit.

Për momentin nuk ka shenja se Irani do të heqë bllokadën pothuajse të plotë të ngushticës, gjë që ka shkaktuar një nga ndërprerjet më të mëdha në furnizimin global me energji. Teherani si arsye kryesore përmend vazhdimin e sulmeve izraelite në Liban, përfshirë edhe goditjet më intensive të kryera të mërkurën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar përmes rrjeteve sociale se Irani “po bën një punë shumë të keqe” sa i përket lejimit të kalimit të naftës përmes ngushticës.

“Kjo nuk është marrëveshja që kemi!”, ka shkruar Trump.

Kategoritë
BotaLajme