Nga Osijeku në Sarajevë: Udhëtimi i një kroateje të re që zgjodhi Islamin

“Ndihem si në vendin tim, sepse Bosnjë e Hercegovina ka qenë gjithmonë shumëdimensionale. Njerëzit këtu më kanë pritur me shumë mbështetje”, thotë Antonija Petra Gaguliq.

Antonija Petra Gaguliq (22) nga Osijeku, studente e vitit të fundit në psikologji dhe pedagogji, disa muaj më parë u shpërngul në Sarajevë, të cilën e quan “hixhreti i saj në emër të Allahut”. Pas pranimit të Islamit në moshën 18-vjeçare, ajo thotë se ka gjetur paqen shpirtërore dhe një komunitet që e ka pranuar si të vetin.

“Sarajeva është në fakt hixhreti im në emër të Allahut, liria ime për të jetuar fenë islame. Kur mendoja se ku mund ta jetoj Islamin më lirshëm dhe më lehtë sesa në Kroaci, kuptova se ishte Sarajeva – kryeqyteti i tij në Evropë. Dhe ky ishte hapi logjik: të vij këtu për të jetuar”, thotë Antonija për Anadolu.

Rruga e saj drejt Islamit filloi gjatë viteve të shkollës së mesme. Në kërkim të përgjigjeve, ajo nisi të hulumtonte fe të ndryshme në botë. “Në fillim të shkollës së mesme nisa të hulumtoj të gjitha fetë e botës, të lexoj e të pyes, dhe diku rreth moshës 17-vjeçare arrita te Islami. Pas rreth një viti e gjysmë, e kuptova se kjo ishte ajo që kërkoja”, shpjegon Gaguliq.

Kroatja pranoi Islamin në moshën 18-vjeçare, në fund të shkollës së mesme. Siç tregon, vendimi i saj nuk ishte i lehtë as për të dhe as për familjen, e cila është tradicionalisht katolike. “Ende vazhdon procesi që familja ime të mësohet me këtë. Ishte e vështirë për ta, ta pranonin, sepse vij nga një familje tradicionale katolike, ku me të vërtetë e jetonim fenë”, tha ajo.

– Feja e zemrës

Për Antonijën, jeta në islam përfaqëson ndjenjën e lirisë dhe qetësisë. “Të jetosh në Islam është çliruese. Për mua është fe e zemrës. E pata shumë të lehtë të pranoja të gjitha rregullat, lejet dhe ndalimet që vijnë me të. Jam e lumtur që jetoj në Islam”, theksoi ajo.

Gaguliq është në Sarajevë prej një muaji e gjysmë, por tashmë ndihet si në shtëpi.

“Për mua, Bosnjë e Hercegovina është atdheu im i dytë. Më kanë pranuar sikur të isha prej këtu, sikur të isha e tyrja. Ndihem si në vendin tim, sepse Bosnjë e Hercegovina ka qenë gjithmonë shumëdimensionale. Njerëzit këtu më kanë pritur me shumë mbështetje. Tani pas vetes kam një ‘ushtri’ grash që më mbrojnë dhe më qëndrojnë pranë. Më mbështesin në çdo moment”, tha ajo duke shtuar se edhe në Osijek, para se të zhvendosej në Sarajevë, e praktikonte fenë.

“Edhe atje kemi një xhemat aktiv dhe unë isha pjesë e tij. Ka muslimanë edhe atje, dhe aktualisht po ndërtohet një qendër islame”, tregon ajo.

– Ndryshim i brendshëm dhe paqe

Sot, Antonija mban ligjërata mbi psikologjinë islame dhe përvojën e saj personale të pranimit të Islamit, gjë që, sipas saj, frymëzon shumë njerëz.

“Për mua është një lumturi e madhe të motivoj dikë që ka lindur në Islam”, shtoi ajo.

Për Antonijën, Sarajeva nuk është vetëm një vend i ri banimi, por një simbol i ndryshimit të brendshëm dhe i lirisë. Në këtë qytet ku, siç thotë ajo, feja jetohet në mënyrë natyrale dhe me respekt dhe ku ajo ka gjetur paqe, komunitet dhe kuptim.

 

Kategoritë
BotaLajme