“Ne vendosëm t’i japim paqes një shans. Pikat në planin 20-pikësh (të Trumpit) janë mjaft të qarta”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur idenë e tij se me planin 20-pikësh të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën “i kanë dhënë paqes një shans”, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për kanalin amerikan CBS, Netanyahu iu përgjigj pyetjeve në lidhje me armëpushimin në Gaza.
Duke iu përgjigjur pyetjes së prezantuesit, “Si siguroheni që lufta të mbarojë?”, Netanyahu tha: “Ne vendosëm t’i japim paqes një shans. Pikat në planin 20-pikësh (të Trumpit) janë mjaft të qarta”.
“Para së gjithash, Hamasi duhet të lërë armët. Së dyti, duhet të sigurohet që të mos ketë fabrika armësh në Gaza dhe se nuk ka kontrabandë armësh. Kjo do të thotë çarmatim”, tha Netanyahu.
Duke vënë në dukje se ata duan që faza e dytë e planit të përfundojë pas fazës së parë, e cila parashikon lirimin e pengjeve, Netanyahu iu referua deklaratës së Presidentit të SHBA-së Trump se “Hamasi duhet t’i përmbahet planit”.
Netanyahu u shpreh më tej se “Trump tha që situata trazohet (Nëse Hamasi nuk i përmbahet). Shpresoj që të mos trazohet”.
– Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza
Më 9 tetor, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave të vazhdueshme në Egjipt.
Marrëveshja u nënshkrua në Egjipt, ku po zhvilloheshin negociatat, dhe marrëveshja hyri në fuqi më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pasi ushtria izraelite u tërhoq nga “vija e verdhë” siç përcaktohej në marrëveshje, armëpushimi në Rripin e Gazës u njoftua se hyri në fuqi në orën 12:00 të po asaj dite.
Gjatë sulmeve dyvjeçare të Izraelit i cili kreu gjenocid në Rripin e Gazës, humbën jetën 67.682 njerëz dhe 170.033 të tjerë u plagosën.