Izraeli po punon me nxitim për të goditur sa më shumë objektiva me prioritet të lartë në Iran, për shkak të shqetësimit se presidenti amerikan Donald Trump mund ta përfundojë papritur luftën.
Këtë informacion e ka publikuar New York Times, duke iu referuar dy zyrtarëve të lartë izraelitë dhe dy personave të njohur me këtë çështje.
Sipas raportit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën ka urdhëruar ushtrinë që në 48 orët e ardhshme të shkatërrojë sa më shumë nga industria iraniane e armëve.
Netanyahu dhe krerët e sigurisë izraelite nuk besojnë se plani prej 15 pikash i Trumpit do të siguronte eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe të raketave balistike të Iranit.
Kujtojmë se dje u publikua lista prej 15 kushteve që amerikanët ua kanë paraqitur iranianëve për ndërprerjen e konfliktit për një muaj. Kjo do t’u mundësonte palëve që, përmes negociatave gjatë kohës së armëpushimit, të arrijnë një marrëveshje për paqe të qëndrueshme.
Megjithatë, izraelitët nuk janë të kënaqur me këtë, pasi dëshirojnë që negociatat të zhvillohen ndërkohë që vazhdojnë sulmet amerikane dhe të tyre ndaj Iranit.
“Skenari i një marrëveshjeje të shpejtë dhe të paqartë parimore po u shkakton net pa gjumë liderëve politikë dhe të sigurisë në Izrael”, ka shkruar dje Kanali 12 izraelit, duke shtuar se një marrëveshje e tillë mbart rrezikun që iranianët në thelb të dalin në avantazh, ndërkohë që konflikti përfundon para se të dakordohen kushtet e sakta.










