Netanyahu “mbyll kapitullin” për Libanin: Zbulon çfarë fshihet pas armëpushimit dhe fatin e Hezbollahut

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi pas hyrjes në fuqi të armëpushimit dhjetëditor mes Izraelit dhe Libanit, duke theksuar se Izraeli ka arritur suksese të mëdha ushtarake, por paralajmëroi se “puna ende nuk ka përfunduar”.

Në një fjalim publik, Netanyahu u ndal te rezultatet e operacioneve disa mujore në veri, duke deklaruar se janë eliminuar dy kërcënime kryesore nga Libani – ai i afërt dhe ai i largët.

“Së pari kemi krijuar një zonë të gjatë sigurie përgjatë gjithë kufirit verior. Ata donin të na rrethonin me një unazë zjarri, ndërsa ne krijuam një unazë sigurie”, tha ai, duke shtuar se kjo zonë eliminon rrezikun e një sulmi tokësor nga mijëra militantë.

“Hezbollahu është vetëm hija e vetes”

Duke folur për kërcënimin “e largët”, Netanyahu theksoi goditjet e mëdha ndaj infrastrukturës së Hezbollah.

Ai pretendoi se:

  • rreth 90% e arsenaleve të raketave janë shkatërruar,
  • është eliminuar udhëheqja, përfshirë liderin Hassan Nasrallah,
  • janë vrarë mijëra militantë.

“Hezbollahu sot është vetëm një hije e asaj që ishte në kohën e Nasrallahut”, deklaroi ai, duke shtuar se çmontimi i plotë i organizatës kërkon kohë dhe përpjekje të vazhdueshme.

Armëpushimi me kërkesë të Trumpit

Netanyahu zbuloi se armëpushimi i përkohshëm është arritur me kërkesë të presidentit amerikan Donald Trump.

Ai theksoi se për herë të parë në 43 vite përfaqësues të Izraelit dhe Libanit po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një zgjidhjeje politike dhe ushtarake.

“Rruga drejt paqes është e gjatë, por ne e kemi nisur atë. Një dorë mban armën, tjetra është e shtrirë për paqe”, tha Netanyahu.

Festime në Liban, por tensione vazhdojnë

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga SHBA, hyri në fuqi në mesnatë, ndërsa në Bejrut u festua me fishekzjarre dhe të shtëna festive. Qindra persona të zhvendosur u kthyen në shtëpitë e tyre në jug, shumë prej tyre me flamuj të Hezbollahut dhe portrete të Nasrallahut.

Donald Trump e quajti këtë një “ditë potencialisht historike”, duke bërë thirrje për fundin e dhunës.

Megjithatë, situata mbetet e brishtë. SHBA e cilëson armëpushimin si një hap të përkohshëm për negociata, ndërsa Izraeli ruan të drejtën për vetëmbrojtje. Nga ana tjetër, ushtria libaneze ka akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes, duke treguar se ruajtja e paqes do të jetë sfiduese.

Kategoritë
BotaLajme