Netanyahu kërcënon: Së shpejti avionët tanë do të fluturojnë mbi Teheran, ajo që keni përjetuar deri tani nuk është asgjë krahasuar me atë që do të ndodhë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua opinionit publik duke deklaruar se Izraeli i ka shkaktuar “dëme serioze” objekteve bërthamore iraniane gjatë sulmeve ajrore në dy ditët e fundit.

Ai tha se vendi i tij “do të godasë çdo vendndodhje dhe objektiv të Iranit”.

“Ne i kemi dhënë një goditje shumë të rëndë objektit kryesor iranian për pasurimin e uraniumit dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do ta godasim sërish”, tha ai.

Netanyahu theksoi se ekziston kërcënimi nga raketat balistike, por se janë marrë masa për të shkatërruar kapacitetet iraniane për prodhimin e tyre.

“Shumë shpejt do të shihni avionët e Forcave Ajrore Izraelite mbi qiellin e Teheranit. Do të godasim çdo objektiv të atij regjimi”, deklaroi Netanyahu, duke shtuar se sulmet e deritanishme “nuk janë asgjë në krahasim me atë që do të ndodhë në ditët në vijim”.

Times of Israel njofton gjithashtu se sonte në orën 22:00 është caktuar një takim i kabinetit të sigurisë së Izraelit në një bunker nëntokësor për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj Iranit.

Kategoritë
BotaLajme