“Trupat e dorëzuar nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve janë identifikuar shenja të torturës”, tha drejtori i Mjekësisë Ligjore, Ahmed Dihayr
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në spitalin “Nasser” në Rripin e Gazës, Ahmed Dihayr tha se në trupat e dorëzuar nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve janë identifikuar shenja të torturës, raporton Anadolu.
Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Dihayr në një deklaratë për Anadolu tha se Izraeli ka dorëzuar trupat e 45 të burgosurve palestinezë të martën, më 14 tetor, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza.
Ai vuri në dukje se fytyrat e disa prej trupave në fjalë nuk mund të njiheshin. “Trupat e tjerë kishin shenja torture dhe shenja se sytë e tyre janë mbajtur të mbyllur për një periudhë të gjatë”, tha ai.
Sipas tij, 45 trupat e dorëzuar nga Izraeli dje janë tashmë në gjendje gati për t’u dekompozuar nën tokë. “Përveç dokumentimit të këtyre trupave me fotografi, katër ekipe ekspertësh mjeko-ligjorë u caktuan për të përcaktuar gjendjen e trupave, për të identifikuar lëndimet e mundshme dhe për të vlerësuar kohën e vdekjes”, tha Dihayr.
Ai thotë se për shkak të mungesës së pajisjeve të testimit të ADN-së në Rripin e Gazës, ata po përpiqen të identifikojnë trupat që kanë marrë duke përdorur mjete primitive. “Autoritetet izraelite morën mostra nga gishtat e mëdhenj dhe gjunjët e trupave të të burgosurve palestinezë për testimin e ADN-së. Nuk e dimë nëse Izraeli do t’i ndajë apo jo këto rezultate me ne”, shtoi Dihayr.
– Kryqi i Kuq përpiqet të marrë informacion nga Izraeli lidhur me trupat e të burgosurve palestinezë
Dihayr thekson se Organizata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq (ICRC) po përpiqet të marrë informacion nga Izraeli në lidhje me trupat e të burgosurve palestinezë. Ai tha se Izraeli deri më tani ka ndarë identitetin e tre individëve me ICRC-në dhe se ata po punojnë për ta konfirmuar këtë.
“Nuk ka asnjë informacion identifikues mbi trupat e tjerë. Nëse nuk mund t’i identifikojmë mbetjet brenda pesë ditësh, do t’i varrosim të numëruara në mënyrë që të identifikohen bazuar në të dhënat që dalin më vonë”, tha Dihayr.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi dje se Izraeli ka dorëzuar trupat e 90 palestinezëve si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve.
– Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja e shkëmbimit të pengjeve
Më 9 tetor, presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Rripin e Gazës gjatë negociatave të vazhdueshme në Egjipt.
Marrëveshja u nënshkrua në Egjipt, ku po zhvilloheshin negociatat ndërsa hyri në fuqi më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga “Vija e Verdhë” siç përcaktohej në marrëveshje, armëpushimi në Rripin e Gazës u njoftua se hyri në fuqi në orën 12:00 të po asaj dite.