Në plazhin e Tel Avivit u shpalos një baner gjigant falënderimi për Donald Trump — i gjatë sa tre fusha futbolli

Aktivistë izraelitë kanë shpalosur një baner gjigant falënderimi për presidentin amerikan Donald Trump në plazhin e Tel Avivit, në pritje të kthimit të pengjeve izraelite dhe në shenjë mirënjohjeje për rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.

Baneri, i vendosur përballë zyrës së ambasadës amerikane në Tel Aviv, shtrihet në një gjatësi sa tre fusha futbolli dhe është i dukshëm nga ajri.

Në të janë të shkruara fjalët “faleminderit” dhe “shtëpia”, përkrah profilit të Trumpit të vizatuar në ngjyrat blu dhe të verdha.

Sipas organizatorëve, instalacioni është krijuar me synimin që Trump ta shohë nga avioni i tij gjatë uljes në Izrael, ndërsa edhe pengjet e kthyera do të mund ta shohin nga helikopterët që do t’i transportojnë në shtëpitë e tyre.

Trump është në rrugë drejt Izraelit dhe pritet të takojë familjet e pengjeve si dhe të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit (Knesset) gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, kthimi i pengjeve në vend pritet të ndodhë gjatë pasdites, si pjesë e zbatimit të marrëveshjes historike të armëpushimit.

Kategoritë
BotaLajme