Në panik strategët e Trumpit që punuan për Dodikun: “Situata është aq e rëndë sa as Susie Wiles nuk mund t’i mbrojë”

Në panik strategët e Trumpit që punuan për Dodikun: “Situata është aq e rëndë sa as Susie Wiles nuk mund t’i mbrojë”

Strategët e Partisë Republikane, James Blair dhe Chris LaCivita, të afërt me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, janë përballur me probleme serioze pasi u zbulua se kishin punuar në fushatën e SNSD-së dhe të kryetarit të kësaj partie, Milorad Dodik.

Siç shkruan Politico, ky angazhim mund t’u kushtojë shtrenjtë. Dy prej strategëve më të afërt të Trumpit, të cilët duhet të punonin për ruajtjen e shumicës republikane në Kongres, janë vënë në shënjestër të kritikave nga vetë partia e tyre. Para zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë, ata këshillonin Dodikun dhe SNSD-në e tij, ndërkohë që në Uashington situata ishte e ndezur për shkak të fushatës për zgjedhjet e ardhshme.

Më tej theksohet se ky lajm u ka dhënë mundësi kundërshtarëve të tyre t’i sulmojnë, gjë që një strateg e përshkroi në mënyrë figurative.

“Thikat janë nxjerrë”, tha një strateg republikan, i cili foli në kushte anonimiteti.

Sipas Politico-s, Donald Trump nuk e dinte se Blair dhe LaCivita kishin udhëtuar në Republikën Srpska. Kur e mësoi këtë, ai telefonoi disa këshilltarë për të kërkuar reagimet e tyre dhe më pas i diktoi bashkëpunëtores së tij në Shtëpinë e Bardhë, Natalie Harp, një postim për Truth Social.

Në të, i cilësoi dy këshilltarët si konsulentë të jashtëm që nuk punojnë për të. Ky ishte një distancim publik i pazakontë, duke pasur parasysh se vetëm në prill Trump e kishte lavdëruar Blairin si një nga mendjet politike më të mprehta në vend dhe e kishte ngarkuar të ndihmonte republikanët të fitonin zgjedhjet.

Në postimin në Truth Social, Trump shtoi se do t’i shkarkonte menjëherë nëse rezultonte se kishte konflikt interesi dhe se do të kërkonte të shqyrtonte listën e klientëve të tyre.

Chris Christie, ish-guvernatori i New Jersey-t, i cili po shqyrton një kandidaturë të re për Shtëpinë e Bardhë, mendon se kjo tregon që republikanët tashmë po orientohen drejt epokës pas Trumpit.

“Nëse njerëzit tuaj kryesorë politikë nuk po merren me zgjedhjet, por po nxjerrin para në një shtet të huaj, kjo do të thotë se e kanë lënë pas Trumpin”, deklaroi ai.

Blair dhe LaCivita vijnë nga rrethi i shefes së kabinetit të Trumpit, Susie Wiles, dhe u njihet një pjesë e madhe e meritës për fitoren e vitit 2024, kur shumëkush e konsideronte Trumpin politikisht toksik. Pikërisht për këtë arsye, një bashkëbisedues i Politico-s thotë se situata është “aq e rëndë sa as Susie nuk mundi t’i mbronte”.

Politico më tej pretendon se dyshja është në panik dhe po telefonon të gjithë bashkëpunëtorët, duke kërkuar që dikush t’i mbrojë publikisht. Një nga të paktët që e ka bërë këtë është Ward Baker, strategu që kishte punuar me ta në fushatën e senatores Marsha Blackburn.

“Nuk ka askënd që kujdeset më shumë për presidentin sesa ata”, tha Baker, ndërsa kritikët anonimë i akuzoi se “nuk kanë guxim”.

Pakënaqësia e Trumpit me drejtimin e strategjisë zgjedhore po rritet prej muajsh. Një burim i afërt me të thotë se presidenti është i zemëruar prej kohësh dhe nuk e duron kur dikush fiton para duke shfrytëzuar emrin e tij, veçanërisht kur më pas e braktis.

Politico shkruan se ndryshimet para zgjedhjeve janë pak të mundshme, por Trump mund t’i ndërpresë përgjithmonë marrëdhëniet me ta nëse situata nuk përmirësohet.

Sipas New York Times, Blair dhe LaCivita kanë marrë secili nga disa qindra mijëra dollarë përmes një firme ligjore në Uashington, të angazhuar nga Qeveria e Republikës Srpska.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Departamentin amerikan të Drejtësisë, që nga fillimi i vitit të kaluar, Republika Srpska u ka paguar më shumë se katër milionë dollarë lobistëve të lidhur me rrethin e Trumpit.

Udhëheqësi i demokratëve në Kongres, Hakeem Jeffries, e komentoi këtë histori duke thënë se strategët republikanë “i kanë zhvendosur intrigat e tyre dashakeqe në ish-Jugosllavi”.

Kategoritë
BotaLajme