Në Mbretërinë e Bashkuar është djegur një xhami, dhe policia dyshon se bëhet fjalë për krim urrejtjeje.
Xhamia u vu në zjarr ndërsa brenda saj ndodheshin dy persona, të cilët për fat të mirë nuk pësuan lëndime.
Sipas raportimeve për CNN, dy persona me maska tentuan të hapnin derën e xhamisë të shtunën në mbrëmje, dhe pasi nuk ia dolën, derdhën benzinë mbi shkallët dhe i vunë flakën ndërtesës. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, në Peacehaven, afër qytetit Brighton, në bregun jugor të Anglisë, pak para orës 22:00 me orën lokale.
Sipas administratorit të xhamisë, që dëshiron të mbetet anonim, kryetari i xhamisë dhe një besimtar, të dy rreth të gjashtëdhjetave, ishin duke pirë çaj brenda ndërtesës kur dëgjuan një zhurmë të fortë jashtë dhe u detyruan të dilnin me shpejtësi ndërsa flakët përfshinë hyrjen kryesore.
Ende nuk dihet nëse autorët e zjarrvënies ishin të vetëdijshëm që kishte njerëz brenda.
“Ata mund të kishin vdekur lehtë. Këta njerëz erdhën me qëllimin e qartë për të shkaktuar dëm maksimal. Kryetari i xhamisë dridhej i tëri, një fqinj doli duke qarë – të gjithë janë të frikësuar. Nëse dikush është gati të bëjë një gjë të tillë, nuk e dimë çfarë mund të ndodhë më pas,” – tha administratori.
Xhamia e vogël, e hapur katër vite më parë, zakonisht pret 10 deri në 15 besimtarë për lutjen e mbrëmjes rreth orës 20:15.
Pas lutjes, kryetari qëndronte shpesh me një vullnetar tjetër për të pirë çaj – një zakon i përditshëm, sipas administratorit.
Pamjet nga kamera e sigurisë tregojnë dy persona me kapuçë që afrohen te hyrja, përpiqen disa herë të hapin derën, pastaj derdhin benzinë në dysheme dhe mbi derë, madje edhe mbi automjetin e kryetarit të xhamisë.
Zjarri dëmtoi fasadën e xhamisë dhe shkatërroi makinën e parkuar përpara, që ishte burimi i vetëm i të ardhurave për kryetarin, i cili punonte si taksist.
Edhe pse askush nuk u lëndua fizikisht, policia deklaroi se komuniteti mysliman i qytetit do ta ndiejë rëndë këtë ngjarje.
Deputeti liberal-demokrat James MacCleary, për zonën Lewes, e dënoi incidentin në rrjetin X:
“Është tronditëse të dëgjosh për zjarrin në xhaminë e Peacehaven. Ajo është pjesë e rëndësishme e komunitetit lokal dhe përdoret nga zgjedhësit e mi. Policia po e trajton si krim urrejtjeje.”
Kjo nuk është hera e parë që xhamia bëhet shënjestër. Në gusht të vitit të kaluar, persona të panjohur kishin qëlluar dy herë me vezë ndaj ndërtesës gjatë natës dhe kishin bërtitur fyerje raciste ndërsa kalonin.
Policia e Sussex-it ka rritur praninë e forcave të sigurisë në vendngjarje dhe ka dislokuar patrulla shtesë në të gjitha vendet e adhurimit në rajon për të garantuar siguri pas incidentit.