Huda Abu Najah, një vajzë palestineze 12-vjeçare nga Rripi i Gazës, ka vdekur këtë javë nga uria dhe kequshqyerja, ka konfirmuar mjeku i saj për gazetën izraelite Haaretz.
Sipas raportit, vdekja e saj ndodhi pas muajsh përpjekjesh të pasuksesshme të organizatave ndërkombëtare për të siguruar evakuimin e saj mjekësor nga Gaza, por pa rezultat.
Abu Najah ishte bërë e njohur për publikun në artikullin e 21 gushtit të Haaretz-it, i cili raportonte për disa raste të fëmijëve të kequshqyer që trajtoheshin në spitale dhe klinika të ndryshme në Rripin e Gazës.
Dr. Ahmed Al-Farra, drejtor i repartit të pediatrisë në spitalin Nasser në Khan Younis, e ka konfirmuar lajmin e vdekjes së saj në mëngjesin e sotëm.
Sipas mjekëve, Huda Abu Najah vdiq nga një “infeksion i thjeshtë”, të cilin trupi i saj nuk mundi ta përballojë për shkak të sistemit imunitar të rrënuar nga muaj të tërë kequshqyerjeje dhe urie.
Rasti i saj është bërë simbol i krizës humanitare në Gaza, ku mungesa e ushqimit, ilaçeve dhe kujdesit mjekësor ka çuar në vdekjen e qindra fëmijëve që vuajnë nga uria kronike.