Policia po heton rastin misterioz të zhdukjes së influencueses 32-vjeçare Stefanie Pieper nga Grazi, dhe aktualisht nuk përjashtohet mundësia e një skenari tragjik.
Pas zhdukjes së raportuar të dielën, në Slloveni u arrestua shpejt i dashuri me të cilin ajo kishte një lidhje të herëpashershme, ndërsa policia ndaloi edhe dy persona nga familja e tij – vëllain dhe vjehrrin. Rasti ka tronditur opinionin në Austri.
Stefanie u zhduk të dielën në mëngjes. Pasi u kthye nga një festë e Krishtlindjeve rreth orës 7, ajo i dërgoi shoqes një mesazh se kishte arritur në shtëpi. Më vonë, rreth mesditës së vonë, ajo duhej të paraqitej për një sesion fotografik në qendër të Grazit, por nuk shkoi. Zhdukja u raportua në mbrëmje.
Qysh natën e së hënës, në zonën kufitare mes Steiermarkut dhe Sllovenisë, u arrestua i dashuri i saj 31-vjeçar Peter M., me të cilin kishte pasur një lidhje prej vitesh. Dyshimet u rritën kur makina e tij, një Golf i kuq, u gjet e djegur në parkingun e kazinosë Mond pranë pikës kufitare Špilje.
Hetuesit besojnë se ai ka tentuar të fshehë gjurmët e krimit, por nga e zhdukura ende nuk ka asnjë gjurmë. I dyshuari, shtetas slloven me qëndrim të përhershëm në Austri, ndodhet në paraburgim dhe autoritetet sllovene dje po vendosnin për ekstradimin e tij. Policia sllovene ka kontrolluar shtëpinë e gjyshes së tij dhe ka kërkuar në pyje pranë kufirit.
Një tjetër tronditje erdhi kur zëdhënësi i Prokurorisë së Grazit, Arnulf Rumpold, konfirmoi arrestimin e dy burrave të tjerë – vëllait dhe vjehrrit të Peter M. Dyshohet se edhe ata janë të përfshirë në zhdukjen e gruas së re.
Ndërkohë, një komshi i 32-vjeçares deklaroi se e kishte parë Peter M. në shkallët e pallatit të saj në Graz pikërisht në kohën e zhdukjes, duke ngritur dyshime se ai mund ta ketë pritur në pritë.
Gazetat sllovene publikuan detaje të reja. Thuhet se Stefanie i kishte shkruar shoqes në WhatsApp në orën 7 të mëngjesit:
“Disa i çuditshëm është në shkallë”, dhe shtoi se para derës së saj kishte parë “një figurë të errët”. Ky ishte mesazhi i saj i fundit.
Të nesërmen, kur nuk u paraqit në punë, një koleg fotograf i shqetësuar shkoi në banesën e saj. Derën ia hapi pikërisht Peter M., të cilin mediat e përshkruajnë si lojtar të pasuksesshëm pokeri dhe roje sigurie me kohë të pjesshme. Fotografi pretendon se pa njolla gjaku në mure dhe menjëherë informoi policinë.
Policia gjeti më vonë telefonin e influencueses të hedhur në një shkurre aty pranë, ndërsa pranë kazinosë në Šentilj u gjet edhe Golfi i djegur, i cili besohet se i përket Peter M. Policia sllovene konfirmoi se ka arrestuar pronarin 31-vjeçar të automjetit.
Peter M. nuk ka mundur të shpjegojë se si u dogj makina. Hetimet ndërkohë janë zgjeruar edhe për vëllain dhe vjehrrin e tij.
Nëna e influencueses, Csilla Legenstein, ka bërë thirrje publike për ndihmë:
“Vajza ime ka humbur që nga e diela në mëngjes. Çdo informacion i dobishëm do të shpërblehet financiarisht. Ju lutem, më ndihmoni ta gjej vajzën time.”
Policia nuk përjashton mundësinë që Stefanie të jetë viktimë e një vepre të rëndë penale.









