Misajllovski-Helez: Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina do ta forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, ka pritur në takim homologun e tij nga Bosnjë e Hercegovina, Zukan Helez, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu.

Të dy ministrat zhvilluan një takim dypalësh, pas të cilit dhanë një deklaratë për mediat, në të cilën theksuan angazhimin e tyre për të nxitur bashkëpunimin midis dy vendeve.

Ministri Misajllovski tha se vizita e ministrit Helez është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe përkushtimit për të promovuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

“Kjo vizitë tregon se kemi marrëdhënie të shkëlqyera, se të dy vendet janë të përkushtuara për të zhvilluar bashkëpunim të ndërsjellë, veçanërisht në mbrojtje. Në të njëjtën kohë, është një tregues i besimit që kemi midis dy vendeve tona mike”, tha Misajllovski.

Ai shtoi se stabiliteti dhe siguria rajonale mbeten prioritet.

“Diskutuam për atë që është më e rëndësishme për qytetarët, që është siguria në të gjithë rajonin dhe stabiliteti. Ky është një prioritet absolut, duke pasur parasysh se pa këtë nuk mund të flasim për asnjë sferë tjetër, veçanërisht për ekonominë”, tha Misajllovski.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për të mbështetur Bosnjë e Hercegovinën në integrimin e saj euroatlantik.

“Si vend anëtar i NATO-s, ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona dhe të ndihmojmë Bosnjë e Hercegovinën në procesin e integrimit. Në kontekstin e sigurisë, ju e dini që ne mbetemi plotësisht mbështetës të misionit paqeruajtës ALTEA të BE-së, sepse stabiliteti është prioritet dhe aktualisht kemi 33 pjesëtarë brenda këtij misioni”, theksoi ai.

Helez, nga ana e tij, falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen që Maqedonia e Veriut i ofron vendit të tij, veçanërisht në lidhje me trajnimin e kadetëve nga Bosnjë e Hercegovina në Akademinë Ushtarake në Shkup.

“Dua të theksoj se pas Turqisë, Maqedonia e Veriut është vendi i dytë ku kadetët tanë shkollohen, fitojnë njohuri dhe do t’i transferojnë ato në vendin tonë. Kjo është diçka për të cilën jemi shumë mirënjohës”, tha Helez.

Ai shtoi se të dy vendet kanë sfida dhe qëllime të ngjashme në integrimin euroatlantik.

“E përgëzova kolegun tim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, i cili është ende një qëllim për ne. Ne po punojmë për të përmbushur programin e reformave dhe e dërgojmë atë në Bruksel çdo vit. Qëllimi ynë i dytë politik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha Helez.

Ministri Helez theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e industrisë mbrojtëse, duke thënë se Bosnjë e Hercegovina ka një nga industritë mbrojtëse më të zhvilluara në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu besim në zhvillimin e bashkëpunimit të suksesshëm me Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në përdorimin e poligoneve të saj të stërvitjes dhe shkëmbimin e përvojave.

Helez tha do ta mirëpresë homologun e tij në BeH në nëntor, ku ata do të vizitojnë misionin ALTEA dhe ushtarët e Maqedonisë së Veriut që janë pjesë e kontingjentit.

Të dy ministrat do të marrin pjesë në orën e parë akademike në Akademinë Ushtarake në Shkup, ku këtë vit marrin pjesë edhe disa kadetë nga Bosnjë e Hercegovina.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi