Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) nga Izraeli u morën në dorëzim trupat e 30 palestinezëve dhe të cilët u sollën në Gaza
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se në kuadrin e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Rripin e Gazës, nga Izraeli u morën në dorëzim trupat e 30 palestinezëve, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të bërë nga llogaria në Telegram e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, theksohet se përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) nga Izraeli u morën në dorëzim trupat e 30 palestinezëve dhe të cilët u sollën në Gaza.
Deklarata gjithashtu vuri në dukje se dje dhe një ditë më parë në Gaza mbërritën trupat e 90 palestinezëve, duke e çuar kështu në 120 numrin total të trupave të kthyer nga Izraeli.
Ndër të tjera, në deklaratë thuhet se trupat kishin shenja goditjesh, torturash dhe të syve të mbajtur të lidhur prej një kohe të gjatë. Ndërkaq, bëhet e ditur se deri më tani janë identifikuar nga të afërmit katër prej trupave.
Më tej theksohet se do të kryhen procedurat e nevojshme mjekësore për të identifikuar mbetjet mortore të palestinezëve.
– Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja e shkëmbimit të pengjeve
Më 9 tetor, presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Rripin e Gazës gjatë negociatave në Egjipt.
Marrëveshja u nënshkrua në Egjipt, ku po zhvilloheshin negociatat, ndërsa hyri në fuqi më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga “Vija e Verdhë” siç përcaktohej në marrëveshje, armëpushimi në Rripin e Gazës u njoftua se hyri në fuqi në orën 12:00 të po asaj dite.