Ministri i Jashtëm gjerman: Turqia kontribuoi në armëpushimin historik për Gazën

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha se Turqia me rolin e saj ndërmjetësues kontribuoi në sigurimin e armëpushimit historik për Rripin e Gazës

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha se Turqia me rolin e saj ndërmjetësues kontribuoi në sigurimin e armëpushimit historik për Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Në një deklaratë para nisjes së tij për në Turqi, Wadephul tha: “Turqia me rolin e saj ndërmjetësues në konfliktin e Lindjes së Mesme, kontribuoi në sigurimin e armëpushimit historik për Gazën”.

Ai theksoi potencialin e madh dhe bashkëpunim në politikën e jashtme duke tërhequr vëmendjen mbi rolin ndërmjetësues të Turqisë. “Si një prej mbështetësve të planit të paqes dhe si vend për të cilin presim të vazhdojë të ushtrojmë presion mbi Hamasin, Turqia mban përgjegjësi të madhe. Me lirimin e pengjeve dhe vendosjen e armëpushimit, shumë gjëra që dukeshin të pamundura disa javë më parë janë arritur”, tha Wadephul.

Sipas tij, përpjekjet për të siguruar të ardhme të sigurt dhe dinjitoze për popullin e Gazës sapo kanë filluar. “Ne kërkojmë së bashku qasje të plotë për organizatat humanitare për të lehtësuar vuajtjet më të këqija dhe po punojmë së bashku për të zbatuar plotësisht planin 20-pikësh për paqe afatgjate”, tha ai.

Wadephul shtoi se ata po punojnë drejt një tranzicioni politik në Siri që do të përfshijë të gjitha grupet shoqërore dhe fetare pas viteve të luftës civile. Ai tha se Turqia ka ofruar strehim për pjesën më të madhe të refugjatëve sirianë gjatë viteve. “Qëllimi që na bashkon është një Siri e sigurt dhe e qëndrueshme për të mundësuar kthimin vullnetar dhe të sigurt”, tha ministri gjerman.

– Partner Strategjik në NATO

“Turqia është partner strategjik qendror për ne brenda aleancës së NATO-s. Për këtë arsye Rusia, kërcënimi më i madh për NATO-n dhe lufta e saj kundër Ukrainës do të jetë një prej temave kryesore të bisedimeve në Ankara”, tha Wadephul.

“Fundi i shpejtë i luftës Rusi-Ukrainë është qëllim i përbashkët. Për ta arritur këtë, ne duhet të thajmë fondin e luftës të Rusisë më shpejt. Si mbrojtëse e Konventës së Montreux-it, Turqia është përgjegjëse e drejtpërdrejtë edhe në çështjen e aksesit në Detin e Zi. Stambolli është një vend i rëndësishëm ku mund të zhvillohen negociata”, tha kryediplomati gjerman.

Wadephul tha se ata duan të forcojnë bashkëpunimin midis BE-së dhe Turqisë. “Zhvillimet politike dhe vendimet që Turqia duhet të marrë për këtë çështje do të jenë në axhendën e bisedimeve të mia në Ankara”, tha ai.

Ai tha se udhëtimi në Turqi ka kuptim të veçantë për çdo ministër të Jashtëm gjerman. “Ne kemi lidhje kaq të ngushta si me asnjë vend tjetër në aspektin social. Mbi 3 milionë njerëz në Gjermani i kanë rrënjët biografike në Turqi. Shumë ndihen si në shtëpi në të dy kulturat, gjë që i pasuron shumë dy vendet tona”, u shpreh Wadephul.

Kategoritë
BotaLajme