Ministri i Prokurimeve të Mbrojtjes, Luke Pollard paralajmëroi se heqja e armëve bërthamore do të dobësonte mbrojtjen e Britanisë ndërsa Partia Kombëtare Skoceze e akuzoi atë për politizim të luftës në Ukrainë
Një zyrtar i lartë britanik i mbrojtjes ka pohuar se pavarësia e Skocisë do t’i sillte përfitim presidentit rus Vladimir Putin, duke e dobësuar mbrojtjen e Britanisë, transmeton Anadolu.
Sipas një lajmi të publikuar sot nga gazeta skoceze “The National”, ministri i Prokurimeve të Mbrojtjes, Luke Pollard u ka thënë gazetarëve skocezë në Londër se heqja e armëve bërthamore nga një Skoci e pavarur, siç propozohet nga qeveria në Edinburg, do ta rrezikonte sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.
“Gjëja nga e cila Putini frikësohet më shumë nga Mbretëria e Bashkuar është forca jonë parandaluese bërthamore”, ka thënë Pollard. “Pra, pse të bëjmë një pretendim që i jep Putinit fitore, që heq vende pune dhe e bën Britaninë më pak të sigurt?”, ka shtuar ai.
“Nëse unë do të isha ulur në Kremlin dhe do të shikoja kombin që është në vijën e parë të mbështetjes për Ukrainën dhe shtetet baltike dhe do të ekzistonte një mënyrë për të dobësuar aftësitë e tij mbrojtëse, unë do ta konsideroja këtë një fitore”, tha më tej Pollard.
Deputeti i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), Dave Doogan, i quajti komentet “jashtëzakonisht të pacipa”, duke e akuzuar Pollardin se po shfrytëzon luftën në Ukrainë për qëllime politike.
“Qeveritë e njëpasnjëshme në Westminster kanë shpenzuar miliarda për bomba bërthamore, ndërsa kanë ulur numrin e trupave konvencionale. Janë forcat e mbrojtjes konvencionale ato që do të na mbrojnë nga kërcënimet që përballemi sot, jo armët e shkatërrimit në masë në Clyde”, deklaroi Doogan.
Ai shtoi se një Skoci e pavarur mund të luajë rol të fortë në NATO, ngjashëm me anëtarë jobërthamorë si Norvegjia dhe Danimarka.
Pollard kritikoi hezitimin e qeverisë skoceze për të investuar në mbrojtje, duke thënë: “Këto janë vende pune të mira, të paguara mirë… është për t’u habitur që nuk po e shohim qeverinë skoceze të përfitojë nga mundësitë që ekzistojnë rreth Rosyth dhe Clyde”.