Mesazhi i parë i Gardës Revolucionare iraniane pas armëpushimit: “Nuk u besojmë amerikanëve, gishti ynë është në këmbëz”

Garda Revolucionare iraniane ka deklaruar se, pavarësisht armëpushimit dyjavor të paralajmëruar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbetet në gjendje të lartë gatishmërie. Siç theksuan, “gishti është në këmbëz” dhe janë të gatshëm për hakmarrje nëse armiku merr sërish vendime të gabuara.

Sipas gazetës franceze Le Monde, forcat elitare iraniane kanë bërë të qartë se nuk kanë aspak besim te Uashingtoni, pavarësisht marrëveshjes për ndërprerje të përkohshme të armiqësive.

“Armiku gjithmonë ka mashtruar. Nuk u besojmë premtimeve të tyre. Çdo agresioni do t’i përgjigjemi me reagim të një niveli më të lartë”, thuhet në deklaratën e Gardës në kanalin e saj zyrtar në Telegram.

Garda Revolucionare përfaqëson një formacion elitar ushtarak dhe ideologjik në Iran, i cili mbikëqyr sigurinë e brendshme, por edhe operacionet e jashtme, përfshirë mbështetjen direkte për aleatët iranianë në rajon.

Kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump njoftoi natën mes së martës dhe së mërkurës për një armëpushim në konfliktin që SHBA dhe Izraeli po zhvillojnë kundër Iranit. Lideri amerikan u tërhoq nga kërcënimet e mëparshme për sulme shkatërruese ndaj Republikës Islamike dhe pranoi një ndërprerje të kushtëzuar dyjavore të luftimeve.

Marrëveshja, pjesë kyçe e së cilës është edhe hapja e ngushticës strategjikisht të rëndësishme të Hormuzit, u bë publike nga Trump rreth 90 minuta para skadimit të ultimatumit të tij, ndërsa u realizua me ndërmjetësim të fortë nga Pakistani.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, deklaroi se armëpushimi vlen “kudo”, përfshirë edhe territorin e Libanit. Megjithatë, kjo u mohua shpejt nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Ai shtoi se Izraeli mbështet vendimin e SHBA-ve për pezullimin e konfliktit.

Aktualisht ende nuk është plotësisht e qartë se kur armëpushimi do të hyjë zyrtarisht në fuqi. Ndërkohë, tregjet globale kanë reaguar ndaj uljes së tensioneve, ku çmimet e naftës kanë shënuar rënie pas njoftimeve për armëpushim, megjithëse mbeten ende dukshëm mbi nivelet para fillimit të konfliktit.

Kategoritë
BotaLajme