Mediumi zviceran nzz.ch ka shkruar një artikull të gjatë sesi ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë këtë të shtunë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës shihet si më shumë sesa një duel futbolli dhe se është një ngjarje me ngarkesë të lartë politike dhe emocionale.
Sipas tyre, autoritetet serbe kanë përgatitur masa të rrepta sigurie: qindra policë, snajperë, ekspertë të dronëve dhe forca speciale do të rrethojnë stadiumin në qytetin e vogël të Leskovcit, me vetëm 8,100 vende. Shqipëria nuk do të ketë tifozë në stadium, pasi biletat për sektorin mysafir nuk u vunë fare në shitje, në përpjekje për të shmangur përsëritjen e incidenteve të vitit 2014.
Në tetorin e atij viti, një dronë me flamurin e ashtuquajtur të “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi fushën në Beograd, duke ndezur një konflikt të hapur mes lojtarëve e tifozëve dhe duke bërë që ndeshja të ndërpritej.
Pasojat u ndjenë në mbarë rajonin: në Kosovë pati festa e përplasje, në Serbi u dogjën flamuj, ndërsa tensionet u shpërndanë edhe në qytetet evropiane me diasporë shqiptare e serbe. Që atëherë, çdo përballje mes këtyre dy vendeve është parë si një ndeshje me potencial shpërthyes.
Në qendër të përplasjes qëndron çështja e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që Serbia ende refuzon ta njohë. Tifozët serbë e shprehin hapur nacionalizmin e tyre, shpesh duke u fotografuar me simbole historike dhe flamuj të “Serbisë së Madhe” në enklavat serbe të Kosovës. Nga ana tjetër, tifozët shqiptarë i përgjigjen me simbole të “Shqipërisë natyrale” dhe me këngë për UÇK-në në ndeshjet vendase.