Mediat gjermane: Vuçiq kërkon ‘një Dodik tjetër’ në Republikën Serbe

Mediat në gjuhën gjermane raportojnë se heqja e sanksioneve amerikane ndaj Milorad Dodik ka sjellë, sipas tyre, një krizë në marrëdhëniet midis Banjallukës dhe Beogradit.

Sipas gazetës “Die Presse”, Ministria e Financave e SHBA-s ka hequr sanksionet ndaj “liderit nacionalist serb boshnjak” Dodik.

Në artikull theksohet se nga Uashingtoni nuk ka pasur një sqarim zyrtar për arsyet e heqjes së sanksioneve ndaj Dodikut, familjes së tij dhe funksionarëve të tjerë, por “zyrtarët serbë kanë sugjeruar se në fshehtësi kanë punuar për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në”, raporton klix.ba.

>Përmendet gjithashtu se Dodikut i është hequr mandati i presidentit të Republika Serbe në muajin gusht, pas vendimit të gjykatës.

Gazetari i Frankfurter Rundschau, Thomas Roser, pyet nëse tani Dodik mbështetet tek presidenti amerikan, Donald Trump, dhe në këtë mënyrë, në njëfarë mënyre, ndërpret aleancën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Titulli “Fundi i dashurisë së paqëndrueshme” është përdorur për të përshkruar raportin Vuçiq-Dodik, i cili më parë ishin konsideruar si tandem politik, ndërsa tani vërehen tendenca për “luftë të ftohtë” mes tyre.

Sipas artikullit, marrëdhëniet e Banjallukës me Uashingtonin janë përmirësuar, ndërsa ato me Beogradin janë ftohur prej momentit që Dodik “është distancuar nga lufta ndaj vendimeve të drejtësisë boshnjake, ka harruar referendumin e njoftuar pas heqjes së mandatit dhe ka emëruar për ushtruese detyre presidentit Ana Trshiq-Babiq, person i besuar dhe i pranueshëm për Perëndimin”.

Roser shkruan se në Beograd po spekulohet se Vuçiq mund të përpiqet para zgjedhjeve presidenciale në Republika Serbe të zëvendësojë Dodikun me një kandidat më “bindës”. Emra të përmendur përfshijnë kryetarin e Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, dhe ish-kandidaten presidenciale Jelena Triviq.

Kategoritë
LajmeRajoni