“Jepi një shans kësaj marrëveshjeje dhe na jepni kohë për t’i realizuar gjërat”, raportohet t’i ketë thënë JD Vance kryeministrit izraelit
Nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, raportohet ti ketë kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’i japë “një shans” marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas një lajmi të Kanalit 12 të Izraelit, i cili ka cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, gjatë takimit me Netanyahun, Vance ka thënë: “Jepi një shans kësaj marrëveshjeje dhe na jepni kohë për t’i realizuar gjërat”.
Netanyahu i është përgjigjur nënpresidentit amerikan se është i gatshëm t’i japë mundësi marrëveshjes.
“Unë gjithashtu dua që marrëveshja të ketë sukses”, i ka thënë ai, sipas zyrtarëve të njohur me detajet e bisedës.
Një zyrtar amerikan që ka marrë pjesë në takim ka thënë se Netanyahu ka treguar gatishmëri ndaj mesazheve të Vanceit për nevojën për të ruajtur armëpushimin dhe për të avancuar në zbatimin e fazave të ardhshme të marrëveshjes.
Po ashtu, një zyrtar tjetër ka thënë se administrata amerikane po përpiqet të sigurojë mbështetje ekonomike, ushtarake dhe diplomatike nga shtetet arabe për forcën ndërkombëtare që pritet të krijohet dhe vendoset në Gaza, si dhe për një këshill të paqes që pritet të mbledhë fonde për rindërtimin e Rripit të Gazës.
Vance, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Izrael, u takua me Netanyahun të mërkurën në Kudsin Perëndimor.