Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione ndaj rrjetit ballkanik të trafikut dhe kontrabandës së njerëzve

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka shpallur sot sanksione të reja kundër grupeve kriminale dhe rrjeteve të financimit të paligjshëm që mbështesin trafikun e qenieve njerëzore dhe kontrabandën e migrantëve drejt Britanisë.

Masat janë drejtuar kundër bandave ballkanike që shesin pasaporta të falsifikuara dhe kundër financuesve të fshehtë që furnizojnë pajisje për anijet e vogla të përdorura në kalimet e paligjshme të ngushticës së Lamanşit.

Këto sanksione përbëjnë hapin më të fundit në ofensivën britanike kundër krimit të organizuar të lidhur me migracionin, dhe vijnë në prag të Samitit për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet sot në Londër, ku kryeministri Keir Starmer ka mbledhur liderë evropianë për të diskutuar mbi bashkëpunimin rajonal, sigurinë evropiane dhe luftën kundër migracionit të paligjshëm.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, anëtarëve të rrjeteve kriminale, përfshirë një grup kosovar të falsifikimit të pasaportave, u është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe u është mohuar qasja në sistemin financiar britanik. Me këtë masë, “qeveria synon të ndërpresë zinxhirët e kontrabandës dhe të dërgojë një mesazh të qartë se kushdo që mbështet tregtinë me njerëz do të ekspozohet publikisht, pavarësisht se ku ndodhet.”

Deklaratat e qeverisë britanike

Kryeministri Keir Starmer deklaroi:

“Ekziston një rrugë kriminale përmes Ballkanit Perëndimor që sjell migrantë të paligjshëm në Britani. Ne jemi të vendosur ta mbyllim atë përmes bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Përpjekjet tona të përbashkëta tashmë kanë përgjysmuar numrin e kalimeve të parregullta të kufirit dhe kanë ulur me 95% ardhjet e shtetasve shqiptarë me anije të vogla. Me anë të Grupit të ri të Përbashkët të Punës për Migracionin, përdorimit të dronëve britanikë dhe sanksioneve më të ashpra, ne po i godasim bandat kontrabanduese në çdo hallkë të veprimtarisë së tyre.”

Ministrja e Brendshme Yvette Cooper shtoi:

“Ballkani Perëndimor është një rrugë tranziti kryesore për bandat e pamëshirshme që trafikojnë njerëz dhe përfitojnë nga vuajtjet e tyre. Regjimi ynë i sanksioneve, ndër më të fuqishmit në botë, është një mjet kyç për ndjekjen e bandave që veprojnë jashtë kufijve tanë dhe për ekspozimin e rrjeteve që i mbështesin ato. Në bashkëpunim me partnerët rajonalë, po marrim masa të vendosura për të forcuar kufijtë dhe sigurinë kombëtare.”

Detajet e sanksioneve

Sipas njoftimit, sanksionet kanë sjellë tashmë një ulje të ndjeshme të numrit të migrantëve që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor — nga mbi 140.000 në vitin 2022 në vetëm rreth 21.000 në vitin 2024.

Me ndihmën e autoriteteve të Kosovës, është sanksionuar rrjeti “Krasniqi”, një grup kriminal kosovar që drejtonte një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve.
Ndër të sanksionuarit janë Burim, Arif, Flamur, Valon dhe anëtarë të tjerë të familjes Krasniqi, si dhe bashkëpunëtorët e tyre Sami Duriqi, Granit Avdyli, Nexhmije Selmani, Endrit dhe Shkembim Ermellahu.

Gjithashtu është sanksionuar Nusret Seferović, udhëheqës i një grupi kriminal kroat që siguronte pasaporta të rreme kroate për bandat ballkanike, për të lehtësuar hyrjen e tyre në vendet evropiane. Këto dokumente, sipas qeverisë britanike, janë shitur grupeve të njohura si “Škaljari” dhe “Kavač”, të cilat tashmë ndodhen nën regjimin e sanksioneve britanike.

Përveç rrjeteve ballkanike, janë sanksionuar edhe financierë ndërkombëtarë të kontrabandës, përfshirë kompaninë “ALPA Trading FZCO” me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo kompani, pjesë e një rrjeti më të gjerë “ALPA”, është përdorur për pastrim parash dhe furnizim me pjesë për anije të vogla që përdoren nga trafikantët e njerëzve. Sanksionet prekin edhe drejtuesit e saj, Ali dhe Vahid Derakhshan.

Reagimi dhe kuadri ligjor

Regjimi global i sanksioneve për migracionet e parregullta, i lançuar në korrik 2025, është i pari i këtij lloji në botë. Paketa e sotme është e dyta në kuadër të këtij mekanizmi, pas asaj të parë që kishte përfshirë 25 individë dhe entitete nga Evropa, Azia dhe Afrika e Veriut.

Masat përfshijnë ngrirjen e pasurisë, ndalimin e udhëtimit dhe diskualifikimin e drejtorëve të kompanive. Personave të sanksionuar u ndalohet të kenë marrëdhënie biznesi me kompani britanike, të përdorin burime financiare në Mbretërinë e Bashkuar ose të hyjnë në territorin britanik.

Strategjia më e gjerë britanike

Në kuadër të një strategjie më të gjerë, Ministria e Jashtme britanike po bashkëpunon me vendet e Ballkanit Perëndimor për të penguar migrimin e rrezikshëm, si dhe për të kthyer në vendet e origjinës personat që nuk kanë të drejtë qëndrimi në MB — përfshirë kriminelë dhe kërkues azili të refuzuar.

Në fillim të këtij muaji, ministrja Yvette Cooper njoftoi gjithashtu një investim prej 10 milionë paundësh për luftimin e kontrabandës së njerëzve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Fondet do të përdoren për trajnimin e forcave policore në Kosovë, forcimin e sigurisë kufitare dhe zgjerimin e programeve të mbështetjes për viktimat e trafikut të qenieve njerëzore në Serbi.

 

Kategoritë
BotaLajme