Kryeministri Anwar tha se kërkoi ndihmë nga presidenti Erdoğan për të sjellë vullnetarët malajzianë në Stamboll me një avion special
Malajzia ka kërkuar ndihmë nga Turqia për të sjellë vullnetarët në shtëpi që ishin në bordin e Flotiljes Globale “Sumud”, e cila u sulmua nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Bernama”, kryeministri Anwar Ibrahim tha se kërkoi ndihmë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan për të sjellë vullnetarët malajzianë në Stamboll me një avion special.
Forcat detare izraelite sulmuan dhe kapën anijet e Flotiljes dje dhe sot, si dhe ndaluan më shumë se 450 aktivistë nga mbi 50 vende. Flotilja synonte të dërgojë ndihmë humanitare në Gaza dhe të sfidojë bllokadën e Izraelit ndaj enklavës.
Anwar tha se ishte në kontakt me delegacionin malajzian, të udhëhequr nga Sani Araby, në lidhje me përpjekjet për të sjellë në shtëpi aktivistët dhe vullnetarët malajzianë.
“I kam kërkuar presidentit Erdoğan që nëse është e mundur të sjellë vullnetarët tanë (malajzianë) nga çdo vendndodhje përreth Izraelit në Stamboll me një avion special turk që do të transportojë qytetarët e tij”, tha Anwar.
“Nga Stambolli, me vullnetin e Zotit, ne do t’i sjellim malajzianët tanë në shtëpi. Që nga ky mëngjes janë arritur disa marrëveshje paraprake”, u tha ai gazetarëve pas namazit të xhumasë në xhaminë Al-Khadijah në kryeqytetin Kuala Lumpur.
Në një mesazh tjetër në platformën sociale të kompanisë amerikane X, Anwar tha: “Unë siguroj se të gjitha burimet dhe përpjekjet po mobilizohen për të siguruar që të gjithë aktivistët dhe vullnetarët malajzianë të lirohen menjëherë pa asnjë kompromis”.
Izraeli sot sulmoi anijen “Marinette”, respektivisht anijen e fundit të mbetur të Flotiljes në ujërat ndërkombëtare pranë enklavës bregdetare palestineze të rrethuar, duke çmontuar misionin. Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se të gjithë të ndaluarit do të “deportohen në Evropë”.
Flotilja Globale “Sumud” është një iniciativë ndërkombëtare për të thyer bllokadën ndaj Gazës, shtëpi e gati 2.4 milionë njerëzve, të imponuar nga Izraeli për gati 18 vjet.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 66.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë bërë atë të pabanueshme.