Mahmudi (14) humbi jetën nga goditja elektrike gjatë përmbytjeve në Stamboll, gjashtë muaj pasi kishte humbur të atin
Mahmud Işıldak, 14 vjeç, humbi jetën nga goditja elektrike gjatë reshjeve të dendura që përfshinë Stambollin, ndërsa historia e tij preku thellë opinionin publik në Turqi.
Më 14 tetor, gjatë motit të lig, djaloshi po kalonte nëpër parkun Çukurbostan, në lagjen Balat të komunës Fatih në Stamboll. Për t’i mbrojtur këpucët nga shiu, po i mbante në duar. Kur shkeli në një pellg uji, e goditi rryma elektrike.
Ai u dërgua pa ndjenja në spital, por mjekët, pavarësisht përpjekjeve, nuk arritën t’ia shpëtonin jetën. Zyra e Guvernatorit të Stambollit njoftoi se ka nisur një hetim për rrethanat e vdekjes së tij.
Pas tragjedisë u bë e ditur se Mahmudi ishte hafëz dhe se gjashtë muaj më parë kishte humbur të atin, hoxhën Ömer Faruk Işıldak, i cili kishte ndërruar jetë nga një sulm në zemër.
Shoqata İsmailağa shprehu ngushëllime në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të hafëzit Mahmud Işıldak, djalit të të ndjerit hoxhë Ömer Faruk Işıldak, duke theksuar se lajmin e kishin marrë me pikëllim të thellë.
Namazi i xhenazes u fal në Fatih, në praninë e një numri të madh qytetarësh. Në ceremoni mori pjesë edhe guvernatori i Stambollit, Davut Gül. Më pas, Mahmudi u varros pranë të atit në fshatin e tij të lindjes, Doğanlı të Düzces, shkruan Türkiye Gazetesi.
Nga moti i lig që përfshiu Stambollin humbën jetën katër persona, ndërsa pesë të tjerë po kërkohen.
