Magyar iu drejtua edhe rajonit: Rrëzuam një sistem kriminal, nuk do të ndërhyjmë në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit

Pas zgjedhjeve në Hungari, ku u shënua një dalje rekord prej 80 për qind, fituesi dhe lideri i opozitës, Péter Magyar, mbajti konferencën e parë zyrtare për shtyp. Në një fjalim të ashpër dhe emocional, ai deklaroi se koha e Viktor Orbán ka përfunduar, paralajmëroi ndryshime rrënjësore në sistem dhe dërgoi mesazhe të qarta për Brukselin, Moskën dhe vendet e Ballkanit.

“Një numër i paparë njerëzish votuan dhe mbështetën në mënyrë të jashtëzakonshme një parti. Hungarezët e kuptuan seriozitetin e këtyre zgjedhjeve dhe vendosën për fatin e atdheut tonë. Ky është fillimi i një epoke të re,” tha ai.

Magyar theksoi se kanë fituar një numër të madh mandatesh, por është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kjo sjell.

“Fuqia e madhe sjell përgjegjësi të madhe. Nuk kemi kohë për të humbur, vendi ynë është në vështirësi. Ata që qeverisën e tradhtuan dhe e shkatërruan Hungarinë, duke e bërë një nga vendet më të varfra në BE,” u shpreh ai.

Kalimi urgjent i pushtetit dhe ndryshim i sistemit

Magyar kërkoi që procesi i kalimit të pushtetit të jetë sa më i shpejtë dhe i bëri thirrje presidentit të mos presë deri në maj për të thirrur seancën konstituive.

Ai theksoi se nuk mjafton vetëm ndërrimi i qeverisë: “Shteti dhe institucionet janë drejtuar nga një organizatë kriminale. Duhet ndryshim i plotë i sistemit. Do t’i përfaqësojmë të gjithë qytetarët dhe do të marrim përgjegjësi për çdo gabim.”

Politika e jashtme: BE, Rusia dhe Ballkani

Magyar theksoi se Hungaria i përket Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, duke shtuar se rikthimi i fondeve evropiane është prioritet.

Ai falënderoi Pekinin dhe Kremlinin për respektimin e vullnetit të votuesve, por paralajmëroi ndryshime të mëdha në marrëdhëniet me Rusinë.

Për rajonin, ai dha një mesazh qetësues: Hungaria nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit, Spanjës dhe Sllovakisë, por kërkon të njëjtin respekt për sovranitetin e saj.

“ Hungaria nuk dëshiron luftë, ne jemi parti e paqes,” tha ai.

Fund i epokës së Orbánit dhe sakrifica personale

Magyar kritikoi ashpër Orbánin, duke thënë se ai nuk është marrë me Hungarinë. Ai paralajmëroi kufizimin e kompetencave të kryeministrit dhe vendosjen e maksimumit prej dy mandateve.

Në fund, ai foli për fushatën e vështirë zgjedhore, duke theksuar se suksesi i tij erdhi nga kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët: “Kam vizituar qindra vende, kam takuar mijëra njerëz dhe i kam pyetur thjesht: si mund t’ju ndihmoj? Dhe kjo punë dha rezultat.”

Kategoritë
BotaLajme