Maduro reagon ndaj Trumpit: Jo grushteve të shtetit të mbështetura nga CIA

Presidenti i Venezuelës, Maduro rikujtoi operacionet ushtarake të SHBA-së në Afganistan, Irak dhe Libi, duke thënë se politikat e tilla kanë përfunduar me dështim

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) autorizim për të zhvilluar operacione në territorin e Venezuelës nën arsyetimin e “luftës kundër narkotikëve”, transmeton Anadolu.

Sipas televizionit shtetëror VTV, Maduro gjatë një fjalimi publik rikujtoi operacionet ushtarake të SHBA-së në Afganistan, Irak dhe Libi, duke thënë se politikat e tilla kanë përfunduar me dështim.

“Jo ndryshimeve të regjimit. Jo grushteve të shtetit të mbështetura nga CIA, që na kujtojnë 30 mijë njerëzit e zhdukur nga dora e kësaj organizate, grushtet e shtetit në Argjentinë, grushtin e shtetit të (Augusto) Pinochet-it në Kili dhe 5 mijë njerëzit e vrarë ose të zhdukur”, tha Maduro.

Presidenti i SHBA-së Trump njoftoi një sulm ndaj një anijeje pranë brigjeve të Venezuelës më 14 tetor, për të cilën tha se ishte e përfshirë në kontrabandë droge, që rezultoi në vdekjen e gjashtë personave.

Trump ka konfirmuar se ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione në territorin venezuelas me arsyetimin e “luftës kundër narkotikëve”.

– Tensione në Karaibe

Më herët, Trump kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv që lejon përdorimin më të gjerë të ushtrisë amerikane për të luftuar kartelet e drogës me origjinë nga Amerika Latine. Në këtë kuadër, SHBA-ja dërgoi në fund të gushtit pranë brigjeve të Venezuelës një flotë detare me nëndetëse dhe anije luftarake.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth deklaroi se ushtria është e gatshme për operacione, përfshirë edhe “ndryshimin e regjimit” në Venezuelë.

Në përgjigje, Maduro njoftoi mobilizimin e 4.5 milionë forcave të milicisë për mbrojtjen e vendit, duke theksuar gatishmërinë për zmbrapsur çdo lloj sulmi.

Ndërkohë, sulmet e vazhdueshme të SHBA-së ndaj disa anijeve pranë brigjeve të Venezuelës, nën arsyetimin e “luftës kundër narkotikëve”, kanë shkaktuar reagime të forta brenda dhe në opinionin ndërkombëtar, duke i quajtur këto veprime si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme