Udhëheqësi i grupit libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani, thotë se plani i Uashingtonit për armëpushim në Gaza është “plot rreziqe”, duke akuzuar Izraelin se po e përdor propozimin për të arritur atë që “nuk arriti” gjatë luftës.
Naim Qassem sugjeroi se Izraeli do ta shfrytëzojë planin si një justifikim për të marrë tokë dhe për t’ua mohuar palestinezëve të drejtën për vetëvendosje, por tha se vendimi për ta pranuar apo jo në fund u takon Hamasit.
“Faktikisht, ky plan është plan plot rreziqe,” tha Qassem në një fjalim përkujtimor për dy komandantë të Hezbollait të vrarë gjatë luftës shkatërruese të kësaj grupe me Izraelin rreth një vit më parë.
Ai shtoi se plani është “projekt izraelit që përpiqet të arrijë përmes politikës atë që nuk arriti përmes veprimit ushtarak, agresionit, gjenocidit dhe urisë.”
Qasemi tha se nuk do të “përzihej në diskutimin e detajeve” të planit të Trumpit, sepse “në fund, rezistenca palestineze, Hamasi dhe të gjitha fraksionet janë ata që diskutojnë dhe vendosin çfarë e shohin të përshtatshme.”
Megjithatë, ai këmbënguli se “duhet të përballemi me projektin e Izraelit të Madh.”
Qasemi tha se çdo person në rajon ka detyrimin t’i rezistojë kësaj ideje, sepse “projekti do të arrijë tek ai herët a vonë, sipas planifikimit izraelit.”