“Ne e mbështesim fuqishëm qëndrimin e presidentit Trump se luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe se linja aktuale e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave”, thuhet në deklaratë.
Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin planifikojnë të takohen në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e cila gjatë luftës në Ukrainë ka ruajtur marrëdhënie të ngrohta me Moskën.
Rusia në të kaluarën ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë territore shtesë para se të arrihet një armëpushim, ndërsa Ukraina dhe aleatët e saj evropianë prej kohësh kanë bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të luftimeve, në mënyrë që të mundësohen negociatat.
Trump bëri thirrje për një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit pas takimit të tij me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të premten.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se liderët evropianë do të mblidhen më vonë këtë javë në samitin e BE-së, si dhe në kuadër të “koalicionit të vullnetarëve” të vendeve që mbështesin Ukrainën. Zelensky pritet të marrë pjesë në takimin e koalicionit të vullnetarëve të premten në Londër.
Ky koalicion, i formuar në shkurt nga Franca dhe Britania e Madhe, prej muajsh po zhvillon bisedime në nivele të ndryshme për të përcaktuar mënyrën se si vendet pjesëmarrëse mund të kontribuojnë ushtarakisht për Ukrainën dhe të pengojnë Rusinë nga një sulm i ri pas arritjes së një armëpushimi përfundimtar.
“Duhet të rrisim presionin ndaj ekonomisë ruse dhe ndaj industrisë së saj të mbrojtjes, derisa Putin të jetë gati të arrijë paqen. Po zhvillojmë masa për të përdorur vlerën e plotë të aseteve shtetërore të ngrira ruse, në mënyrë që Ukraina të ketë burimet që i nevojiten”, thuhet të martën në deklaratë.