Libani akuzon Izraelin për sulme në “zona banimi me popullsi të dendur”, duke vrarë civilë

Kryeministri libanez u ka bërë thirrje miqve të Libanit “t’i ndalin këto sulme me të gjitha mjetet e mundshme”

Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam akuzoi Izraelin se po sulmon “zona banimi me popullsi të dendur” pavarësisht përpjekjeve për armëpushim, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në rrjetin social amerikan X, Salam tha se Libani ka mirëpritur marrëveshjen e fundit për armëpushim midis Iranit dhe SHBA-së.

“Ndërsa ne intensifikuam përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Liban, Izraeli vazhdoi të përshkallëzojë sulmet e tij duke synuar zona banimi me popullsi të dendur, që morën jetë të civilëve të pafajshëm në gjithë Libanin, veçanërisht në kryeqytetin Bejrut”, tha Salam.

Ai akuzoi Izraelin se “po shpërfill të gjitha përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës”.

“Izraeli ka shkelur haptazi parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës ndërkombëtare humanitare, të cilat nuk i ka respektuar kurrë që në fillim”, tha ai duke u bërë thirrje miqve të Libanit “t’i ndalin këto sulme me të gjitha mjetet e mundshme”.

Ushtria izraelite tha sot se goditi më shumë se 100 lokacione “brenda dhjetë minutave” në disa zona të Bejrutit, Luginën Beqaa dhe në jug të Libanit, në “sulmin më të madh të koordinuar” që nga fillimi i ofensivës aktuale në Liban.

Izraeli ka kryer sulme ajrore dhe ofensivë tokësore në jug të Libanit që nga një sulm ndërkufitar i Hezbollahut më 2 mars, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi në nëntor 2024. Autoritetet libaneze thonë se të paktën 1.530 persona janë vrarë dhe 4.812 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite që nga atëherë.

Kategoritë
BotaLajme