Ky shtet evropian shkruan histori: E rrit shpejtësinë maksimale të lejuar në 150 km/h

Çekia bëhet shteti i parë i Bashkimit Evropian që do të testojë rritjen e kufirit të shpejtësisë në autostrada në 150 kilometra në orë.

Shenjat e reja të komunikacionit tashmë janë vendosur në një pjesë të autostradës D3 nga Praga drejt Linzit, dhe projekti pilot nis zyrtarisht në fund të shtatorit. Për këtë ishte folur që në janar të këtij viti.

Rritja testuese e kufirit të shpejtësisë për momentin vlen vetëm për një segment prej 50 kilometrash ndërmjet Tábor-it dhe České Budějovice. Autostrada është e pajisur me tabela të reja elektronike me kufizim të ndryshueshëm shpejtësie, raporton Fenix Magazin. Kufiri standard i shpejtësisë në Çeki është 130 km/h. Sistemi i ri do të lejojë rritjen në 150 km/h vetëm në kushte të favorshme atmosferike dhe me qarkullim të mirë. Në rast shiu, bore apo akulli, shpejtësia do të ulet automatikisht për 20 km/h, pra në kufirin standard prej 130 km/h.

Çekia ka investuar 2,2 milionë euro në këtë projekt për gjithsej 42 tabela të ndryshueshme trafiku dhe planifikon zgjerimin e këtij regjimi edhe në segmente të tjera, përfshirë autostradën D1 drejt Ostravës dhe D11 pranë Hradec Králové.

Kategoritë
Të ndryshme