Midis qytetit hungarez Zalaegerszeg dhe fshatit Zalaszentiván është ndërtuar një rrethrrotullim që nuk të çon askund, pasi rrugët që nisen nga ai përfundojnë direkt në fushë.,
Fjala është për një investim me vlerë 500 milionë forinta, financuar nga fondet e Bashkimit Evropian.
Ky është tashmë projekti i tretë i çuditshëm në Hungari që realizohet me para evropiane.
Sipas hulumtimit të portalit investigativ atlatszo.hu, pranë rrethrrotullimit qëndron një tabelë që me krenari tregon se projekti është financuar nga fondet e BE-së.
Në dokumente, ky rrethrrotullim duhej të ishte pjesë e një rruge hyrëse drejt një qendre të madhe logjistike dhe terminali kontejnerësh të kompanisë gjermane Metrans, e cila për momentin ekziston vetëm në letër.
Projekti i paralizuar
Projekti i qendrës logjistike u njoftua që në vitin 2021 dhe mori mbështetje nga ministri i jashtëm hungarez Péter Szijjártó, i cili mori pjesë personalisht në vendosjen e gurthemelit.
Qëllimi i investimit të kompanisë gjermane ishte lidhja e rrugëve tregtare nga portet e Adriatikut – Trieste, Koper dhe Rijeka – me Evropën Qendrore, përfshirë edhe Çekinë, duke forcuar pozitën e Hungarisë në logjistikën ndërkombëtare.
Autoritetet komunale të Zalaegerszegut ishin zotuar të ndërtonin infrastrukturën rrugore drejt zonës ku do të ngrihej qendra logjistike, gjë që edhe e realizuan — por projekti mbeti i bllokuar.
“Metrans ende nuk e ka filluar ndërtimin pasi është në pritje të linjës hekurudhore që duhet ta sigurojë qeveria hungareze,” raportoi portali atlatszo.hu.
Kryetari i bashkisë, Zoltán Balaicz, u shpreh optimist se projekti i Metransit do të fillojë sapo të përfundojë ndërtimi i hekurudhës.
“Kjo është një investim i rëndësishëm jo vetëm për qytetin tonë, por për të gjithë Hungarinë,” deklaroi ai.
Fondet e BE-së, tenderët dhe vonesat
Hungaria kërkoi financim nga fondet e BE-së për ndërtimin e linjës hekurudhore në vitin 2022. Komisioni Evropian e miratoi projektin një vit më vonë, por punimet nuk kanë nisur ende.
Në vjeshtën e vitit 2024 u shpall tenderi publik, por rezultatet nuk janë bërë publike.
Sipas Ministrisë Hungareze të Ndërtimtarisë, procesi i vlerësimit është ende në zhvillim.
Ndërkohë, kompania gjermane Metrans në një deklaratë theksoi se ndërtimi i qendrës logjistike është i mundur vetëm nëse ekziston lidhja hekurudhore.
“Pa një lidhje hekurudhore, funksionimi i terminalit është i pamundur,” theksoi kompania.
Skandale të mëparshme me fondet evropiane
Kjo nuk është hera e parë që Hungaria bëhet objekt i vëmendjes për mënyrën se si përdor fondet e Bashkimit Evropian.
Në mars të vitit 2023, vendi u përfol për ndërtimin e një shëtitoreje midis degëve të pemëve, ndonëse pylli përreth ishte prerë paraprakisht.
Vetëm një muaj më vonë, Hungaria u bë sërish objekt talljeje për ndërtimin e një kullë vrojtimi vetëm 1,5 metra të lartë, e vendosur në mes të askundit.