Ministrat izraelitë bëjnë thirrje për faljen e Netanyahut pas kërkesë së Trumpit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u paraqit sot para Gjykatës së Qarkut në Tel Aviv për të dëshmuar në gjyqin e tij për korrupsion pas një ndërprerjeje njëmujore, thanë mediat lokale, transmeton Anadolu.
Gjyqi ndaj Netanyahut ishte pezulluar për shkak të festave hebraike dhe udhëtimit të tij në New York për sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Transmetuesi publik izraelit KAN tha se ministrat dhe anëtarët e Knessetit nga Partia Likud e Netanyahut morën pjesë në seancën gjyqësore për të mbështetur kryeministrin.
Netanyahu u largua nga salla e gjyqit për një kohë pasi mori një zarf nga një prej ndihmësve të tij, shtoi media.
Gjatë një fjalimi në parlamentin izraelit të hënën, presidenti i SHBA-së Donald Trump i kërkoi homologut të tij izraelit, Isaac Herzog, të jepte një falje për Netanyahun në gjyqin e tij për korrupsion.
Sipas ligjit izraelit, presidenti mban autoritetin për të falur kriminelët ose për të ndryshuar dënimet e tyre bazuar në informacionin ose opinionet e nevojshme nga autoritetet përkatëse, siç janë ministrat e drejtësisë ose të mbrojtjes.
Ministri izraelit i Drejtësisë, Yariv Levin nga Partia Likud e Netanyahut, shprehu mbështetjen e tij për faljen e kryeministrit të mërkurën në mëngjes, sipas “Yedioth Ahronoth”. Levin tha se gjyqi i kryeministrit “nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe ekzistenca e tij është në kundërshtim me drejtësinë dhe interesat e shtetit”.
Ministri i Arsimit i krahut të djathtë, Yoav Kisch nga Partia Likud, gjithashtu bëri thirrje në llogarinë e tij X për anulimin e gjyqit, duke përmendur “sfida serioze të sigurisë dhe kërcënime ekzistenciale” me të cilat përballet Izraeli.
Në janar, Netanyahu filloi seancat e marrjes në pyetje në lidhje me akuzat në rastet e përcaktuara 1000, 2000 dhe 4000, të cilat ai i mohon të gjitha. Rasti 1000 përfshin Netanyahun dhe familjen e tij që marrin dhurata të shtrenjta nga biznesmenë të pasur në këmbim të favoreve.
Rasti 2000 ka të bëjë me negociatat e dyshuara me Arnon Mozes, botuesin e të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”, për të fituar mbulim pozitiv mediatik.
Rasti 4000, i konsideruar si më seriozi, përfshin ofrimin e lehtësimit për Shaul Elovitch, ish-pronarin e faqes së lajmeve Walla dhe një kompanie telekomunikacioni, Bezeq, në këmbim të mbulimit të favorshëm mediatik.
Netanyahu, ndaj të cilit gjyqi filloi më 24 maj 2020, është udhëheqësi i parë izraelit në detyrë që del në bankën e të akuzuarve si i pandehur penal në historinë e vendit.
Ai gjithashtu përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, me Gjykatën Ndërkombëtare Penale që lëshoi urdhër-arreste për të dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant në nëntor 2024 për mizoritë në Rripin e Gazës, ku gati 68 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga tetori 2023.